Rudy Giuliani shpalli falimentimin, disa ditë pasi u urdhërua të paguante 148 milionë dollarë si pjesë e një padie për shpifje.
Në kërkesën drejtuar gjykatës federale për falimentimet në Nju Jork, ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut përmend rreth 153 milionë dollarë borxhe ekzistuese ose të mundshme, përfshirë qindra mijëra dollarë në detyrime në taksa, para që u detyrohet avokatëve dhe miliona dollarë që mund t’i duhet të paguajë në procese ligjore kundër tij.
Shifra më e lartë janë 148 milionë dollarët që ai u urdhërua të paguajë një javë më parë për deklarata të rreme për punonjësit e zgjedhjeve në shtetin e Xhorxhias lidhur me garën presidenciale të vitit 2020.
Zoti Giuliani u urdhërua të paguante dëmshpërblimin masiv një javë më parë për shkak të deklaratave të tij të rreme për punonjëset e zgjedhjeve.
Ato thanë se vënia në shënjestër e tyre pasi ish-presidenti Donald Trump humbi në Xhorxhia ndaj demokratit Joe Biden çoi në kërcënime me vdekje që i bënë të frikësoheshin për jetën e tyre.
Ted Goodman, një këshilltar politik dhe zëdhënës i zotit Giuliani tha në një deklaratë se vendimi i tij për të kërkuar mbrojtje për shkak të falimentimit “nuk duhet të jetë befasi për askënd” sepse “asnjë person nuk mund të besojë se ish-kryebashkiaku Giuliani do të ishte në gjendje të paguante një dëmshpërblim kaq të lartë.”
Procesi i falimentimit do t’i japë zotit Giuliani “mundësinë dhe kohën për të apeluar, duke ofruar njëkohësisht transparencë lidhur me financat e tij nën mbikëqyrjen e gjykatës së falimentimit, për të siguruar që të gjithë kreditorët të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë gjatë gjithë procesit,” tha zoti Goodman.
Por ka pak gjasa që shpallja e falimentimit të amulojë dëmet prej 148 milionë dollarësh me të cilat duhet të kompensohen ish-punonjëset e zgjedhjeve Ruby Freeman dhe Wandrea “Shaye” Moss, sipas vendimit të një jurie.
Ligji i falimentimit nuk lejon anulimin e borxheve që vijnë nga një “dëmtim me dashje dhe me synime keqdashëse” të shkaktuar ndaj dikujt tjetër.
Të mërkurën, gjykatësi i qarkut të Uashingtonit, Beryl Howell tha se Freeman dhe Moss nuk duhej të prisnin afatin standard prej 30 ditësh përpara se të fillonin procesin e marrjes së dëmshpërblimit, duke thënë se zoti Giuliani mund ta përdorte këtë kohë për të fshehur pasuritë e tij.
“Kjo manovër nuk është befasuese dhe nuk do të ketë sukses në shlyerjen e borxhit të zotit Giuliani ndaj Ruby Freeman dhe Shaye Moss,” tha avokati i tyre Michael Gottlieb.
Pas vendimit, Rudy Giuliani tha se do të apelonte, përsëriti pretendimet e tij se zgjedhjet e vitit 2020 ishin fituar nga zoti Trump, këmbënguli se ai nuk kishte bërë asnjë shkelje dhe la të kuptonte se do të vazhdonte të ushtronte presion edhe nëse kjo do të thotë të humbiste të gjitha paratë, ose të përfundonte në burg.
Vështirësitë financiare të zotit Giuliani janë thelluar për shkak të hetimeve, padive, gjobave, masave dhe dëmeve që lidhen me përpjekjet e tij për të ndihmuar zotin Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020./VOA
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...