Kërkesa e Suedisë për anëtarësim në NATO, kapërceu pengesën nga Turqia, ndërsa parlamenti dha mirarimin që vendi nordik të pranohet në aleancë.
Kërkesa për anëtarësim në NATO duhet të miratohet nga të gjithë vendet anëtare të aleancës. Tani, Hungaria, është i vetmi anëtar që nuk i ka dhënë dritën jeshile Suedisë.
Më poshtë, një vështrim mbi rrugën e ndërlikuar të Suedisë drejt anëtarësimit në NATO.
PSE KËRKON SUEDIA QË TË HYJË NË NATO?
Suedia ka qëndruar jashtë aleancave ushtarake për më shumë se 200 vjet dhe për një kohë të gjatë ka përjashtuar mundësinë e anëtarësimit në NATO. Por pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022, ajo hoqi dorë nga politika e saj e gjatë e mosangazhimit, pothuajse brenda natës dhe vendosi të aplikonte për t’iu bashkuar aleancës, së bashku me Finlandën fqinje.
Si Suedia ashtu edhe Finlanda kishin forcuar lidhjet me NATO-n pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, por opinioni publik u shpreh me vendosmëri kundër anëtarësimit të plotë,derisa filloi lufta në Ukrainë.
Mosangazhimi në NATO, shihej si mënyra më e mirë për të shmangur nxitjen e tensioneve me Rusinë, fqinjin e tyre të fuqishëm në rajonin e Detit Baltik. Por agresioni rus shkaktoi një ndryshim dramatik tek të dyja vendet. Sondazhet tregojnë një rritje të mbështetjes për anëtarësimin në NATO.
Partitë politike, si në Finlandë ashtu edhe në Suedi, vendosën se kishin nevojë për garanci për siguri, garanci që vijnë vetëm përmes anëtarësimit të plotë në aleancën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
PSE PO ZGJAT KAQ SHUMË?
Ndërsa Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s në prill të vitit të kaluar, aplikimi i Suedisë ishte bllokuar nga Turqia dhe Hungaria.
Për të rënë dakord për anëtarësimin e Suedisë në NATO, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan parashtroi një sërë kushtesh duke përfshirë një qëndrim më të ashpër ndaj grupeve që Turqia i konsideron si kërcënime për sigurinë e saj, si militantët kurdë dhe anëtarët e një rrjeti që e konsideron përgjegjës për një grusht të dështuar shteti, në vitin 2016.
Megjithëse qeveria suedeze u përpoq të qetësonte zotin Erdogan duke hequr embargon për armët nga Turqia dhe duke premtuar se do të bashkëpunonte në luftën kundër terrorizmit, demonstratat publike në Suedi nga mbështetësit e Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, dhe nga aktivistët anti-myslimanë që dogjën Kuranin, e ndërlikuan situatën.
Trysnia e Shteteve të Bashkura dhe aletëve të të NATO-s ndaj Turqisë për të hequr kundërshtitë ndaj anëtarësimit suedez dukej nuk po jepte shumë efekt, derisa Presidenti Erdogan tha në një takim të nivelit të lartë të NATO-s vitin e kaluar, se do ta dërgonte protokollin e pranimit të Suedisë për votim nga parlamentit turk. Por ky institucion, e vonoi shqyrtimin e kërkesës, derisa ligjvënësit më në fund votuan mbi këtë çështje të martën dhe e ratifikuan protokollin e pranimit të Suedisë me 287 vota kundër 55.
Tani, Hungaria është pengesa e fundit për anëtarësim e Suedisë në NATO. Fillimisht Hungaria nuk dha ndonjë arsye të qartë për vonesat në shqyrtimin e kërkesës dhe kryeministri Viktor Orbán prej kohësh kishte këmbëngulur se vendi i tij nuk do të ishte i fundit që do t’i jepte dritën jeshile Suedisë. Por toni ndaj Stokholmit u ngurtësua vitin e kaluar, pasi Hungaria akuzoi politikanët suedezë se kanë “gënjyer haptas” mbi gjendjen e demokracisë në Hungari.
Orbán, i cili ka dalë nga linja e aleatëve të NATO-s, duke mbajtur një qëndrim miqësor ndaj Kremlinit lidhur me sulmin ndaj Ukrainës, tha të martën se kishte ftuar kryeministrin suedez Ulf Kristersson në Budapest për të diskutuar mbi “bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si aleatë dhe partnerë.”
Në rast se nuk thirret një seancë urgjente e parlamentit të Hungarisë për të diskutuar mbi kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, mbledhja e ardhshme është planifikuar më 26 shkurt.
ÇFARË NDIKIMI DO KISHTE PËR ALEANCËN ANËTARËSIMI I SUEDISË?
Përfshirja e Suedisë do të bënte që Detin Baltik të rrethohej nga vendet e NATO-s, duke forcuar aleancën në rajonin e rëndësishëm strategjik. Deti Baltik është rruga detare e Rusisë, për të arritur në qytetin e Shën Petersburgut dhe rajonin e Kaliningradit.
Trupat e armatosura të Suedisë, megjithëse janë zvogëluar ndjeshëm që nga Lufta e Ftohtë, konsiderohen se faktor që do të forconte mbrojtjen e NATO-s në rajon. Suedezët kanë forca ajrore dhe detare moderne dhe janë zotuar të rrisin shpenzimet e mbrojtjes për të arritur objektivin e NATO-s, prej 2% të prodhimit të brendshëm bruto.Ashtu si finlandezët, forcat suedeze kanë marrë pjesë prej vitesh në stërvitje të përbashkëta me NATO-n.
SI KA REAGUAR RUSIA?
Nuk është për t’u habitur që Moska reagoi negativisht ndaj vendimit të Suedisë dhe Finlandës për të braktisur mosangazhimin dhe për të kërkuar anëtarësimin në NATO, dhe paralajmëroi për kundërpërgjigje, por pa thënë se si.
Rusia tha se ky veprim ndikoi negativisht në situatën e sigurisë në Evropën Veriore, e cila sipas saj “ka qenë më parë një nga rajonet më të qëndrueshme në botë”.
Agjenicitë e sigurisë së Finlandës thanë në tetor se marrëdhëniet me Rusinë ishin përkeqësuar ndjeshëm dhe se Moska tani e konsideron fqinjin e saj perëndimor si një vend armiqësor.
Si Suedia ashtu edhe Finlanda kanë paralajmëruar për një rrezik në rritje të ndërhyrjes ruse dhe sulmeve hibride./voa
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës