Rritja e rasteve me COVID rikthen bartjen e maskave në disa spitale në SHBA

13:22 | 4 Janar 2024
E.K

Spitalet në të paktën katër shtete të SHBA-së kanë rikthyer detyrimin për bartjen e maskave pas rritjes së rasteve me COVID, gripit sezonal dhe sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Objektet e kujdesit shëndetësor në Nju Jork, Kaliforni, Illinois dhe Masaçusets e e kanë bërë të detyrueshme bartjen e maskave për pacientët dhe ofruesit e shërbimeve shëndetësore.

Komisionari për Shëndet i qytetit të Nju Jorkut, Dr. Ashwin Vasan i tha WABC TV-së të mërkurën se bartja e detyrueshme e maskave ka rifilluar në të 11 spitalet publike të qytetit, 30 qendra shëndetësore dhe pesë objekte të kujdesit afatgjatë.

“Ajo që nuk duam është mungesa e personelit, apo jo? Kur pamë valën e Omicron-it më 2022, problemet më të mëdha nuk ishin vetëm njerëzit që sëmureshin, por që kishim shumë punonjës shëndetësorë të vijës së parë, ata ishin jashtë me COVID-19”, tha Vasan.

Të dhënat më të fundit javore nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) treguan se kishte mbi 29.000 hospitalizime nga COVID-i në të gjithë SHBA-në nga 17 deri më 23 dhjetor, ose 16 për qind më shumë në krahasim me javën paraprake.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve gjithashtu raportuan më shumë se 14.700 raste hospitalizimi për shkak të gripit në të njëjtën periudhë.

Bartja e detyrueshme e maskave ishte pika e ndezur politike dhe kulturore gjatë pandemisë me COVID-19, duke shkaktuar zemërim në mesin e atyre që ndoqën këshillat mjekësore dhe vërejtën se maskat bënë pak për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Një Gjykatë e Lartë e dominuar nga konservatorët hodhi poshtë detyrimin federal të presidentit Joe Biden për vaksinë ose testim të detyrueshëm për kompanitë, dhe një gjyqtar i emëruar nga paraardhësi i tij republikan hodhi poshtë detyrimin për bartjen e maskës në transport publik.

Kishte, gjithashtu, pakënaqësi të thellë midis atyre që bartnin maska dhe mendonin se shëndeti i tyre ishte vënë në rrezik nga ata që nuk bartnin maska.

Më shumë se 1.1 milion amerikanë kanë vdekur nga COVID-19, tregojnë shifrat e CDC-së, një normë më e madhe se shumica e vendeve të tjera të pasura.

Sistemi mjekësor i Universitetit Rush në Çikago tha të martën se kërkoi që “pacientët, vizitorët dhe stafi të bartnin maska – kërkesa për bartjen e maskave në disa zona të kampusit u miratua nga spitali”. Ato përfshijnë zonat e pritjes klinike dhe regjistrimin e pacientëve”.

Cook County Health, i cili përfshin Çikagon dhe Endeavour Health në periferi të Çikagos, muajin e kaluar filloi të kërkonte përsëri maska pasi Departamenti i Shëndetit Publik të Illinoisit u kërkoi spitaleve të rrisin përpjekjet parandaluese në disa fusha, duke përfshirë përdorimin e maskës në të gjithë objektin.

Në Masaçusets, Berkshire Health Systems filloi me bartjen e detyrueshme të maskave të mërkurën, sipas një deklarate.

Në Kaliforni, Qarku i Los Anxhelosit të shtunën rivendosi bartjen e maskave në të gjitha objektet e licencuara të kujdesit shëndetësor, sipas një deklarate të qarkut dhënë Shërbimit të Lajmeve të Qytetit. Departamenti i Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me këtë çështje./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme