Kostoja e jetesës në Kajro është rritur aq shumë sa Mustafa Gamal-it, që punon si roje, iu desh të dërgonte gruan dhe vajzën e tij një vjeçare për të jetuar me prindërit e tij, në një fshat mbi 112 kilometra larg kryeqytetit egjiptian, për të kursyer para.
28 vjeçari Gamal, tani bën dy punë, duke jetuar në një apartament me të rinj të tjerë dhe duke hequr mishin nga dieta e tij.
“Çmimet e gjithçkaje janë dyfishuar,” tha ai.
“Nuk kishte alternativë.”
Në mbarë botën, njerëzit ndajnë dhimbjen dhe zhgënjimin e zotit Gamal.
Një tregtar i pjesëve të makinave në Nairobi, një shitës i rrobave për fëmijë në Stamboll dhe një importues vere në Mançester të Anglisë, kanë të njëjtën ankesë: një dollar amerikan në rritje i bën monedhat e tyre lokale më të dobëta, duke kontribuar në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përditshme.
Kjo është duke e komplikuar shqetësimin financiar në një kohë kur familjet tani përballen me probleme ushqimore dhe energjie të lidhura me sulmin rus në Ukrainë.
“Një dollar i fortë e përkeqëson një situatë edhe ashtu të keqe në pjesën tjetër të botës”, thotë Eswar Prasad, profesor i politikës tregtare në Universitetin Cornell.
Shumë ekonomistë shqetësohen se rritja e mprehtë e dollarit po rrit gjasat për një recesion global, që mund të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm.
Dollari është rritur 18% këtë vit dhe muajin e kaluar arriti në nivelin më të lartë të 20 viteve, sipas indeksit që mat dollarin kundrejt disa prej monedhave kryesore.
Arsyet e rritjes së dollarit nuk janë të paditura.
Për të luftuar inflacionin në rritje të SHBA-së, Rezerva Federale, siç njohet Banka Qendrore, i ka rritur normat e interesit afatshkurtër pesë herë këtë vit dhe po sinjalizon se ka të ngjarë që interesi të rritet edhe më shumë. Kjo ka çuar në rritjen e interesit të bonove të thesarit amerikan, duke joshur kështu investitorët dhe duke rritur vlerën e monedhës amerikane.
Shumica e monedhave të tjera janë shumë më të dobëta, veçanërisht në vendet e varfra. Monedha indiane ‘Rupee’ ka rënë gati 10% këtë vit kundrejt dollarit, monedha egjiptiane ka rënë 20%, dhe monedha turke ‘lira’ ka shënuar rënie të jashtëzakonshme.
60 vjeçari Celal Kaleli, shet veshje dhe çanta në Stamboll.
Për shkak se tani ai ka nevojë për më shumë ‘lira’ për të blerë zinxhirë dhe astar të importuar, mallra këto që i kanë çmimet në dollarë amerikan, ai duhet të rrisë çmimet për klientët turq. Këta të fundit po përballen me probleme për ta paguar atë në monedhën vendase që ka shënuar rënie të madhe.
“Ne po presim vitin e ri,” tha ai. “Do të shqyrtojmë financat tona dhe do të zvogëlojmë biznesin në përputhje me rrethanat. Nuk mund të bëjmë asgjë tjetër”.
As vendet e pasura nuk janë imune. Në Evropë, e cila po ecën drejt recesionit pas rritjes së çmimeve të energjisë, një euro vlen më pak se 1 dollarë për herë të parë në 20 vjet. Paundi britanik ka shënuar rënie prej 18% krahasuar me një vit më parë. Paundi u ra së fundmi në nivele të barabarta me dollarin pasi kryeministrja e re e Britanisë, Liz Truss, njoftoi për shkurtime të mëdha taksash, që tronditën tregjet financiare dhe çuan në largimin e sekretarit të saj të Thesarit.
Zakonisht, vendet mund të përfitojnë nga rënia e vlerës së monedhave, sepse kjo i bën prodhimet e tyre më të lira dhe më konkurruese jashtë shtetit. Por momentalisht, çdo fitim nga eksportet është pothuajse i papërfillshëm, pasi ekonomitë po shënojnë rënie pothuajse kudo.
Rritja e dollarit po shkakton dhimbje jashtë shtetit në disa mënyra:
— Rritja i bën importet e vendeve të tjera më të shtrenjta, duke shtuar presionet ekzistuese me prirje inflacioniste.
— Ajo shtrydh kompanitë, konsumatorët dhe qeveritë, që kanë marrë hua në dollarë. Kjo ndodh pasi për pagesat e kredive tani nevojitet më shumë monedhë lokale për t’u konvertuar në dollarë.
— Rritja detyron bankat qendrore në vende të tjera të rrisin normat e interesit në përpjekje për të mbështetur monedhat e tyre dhe për të mos lejuar daljen e parave nga vendi. Por, norma më të larta të interersit gjithashtu dobësojnë rritjen ekonomike dhe rrisin papunësinë.
E thënë më thjesht: “Rritja e dollarit është një lajm i keq për ekonominë globale,” thotë Ariane Curtis nga organizata “Capital Economics”.
“Kjo është një arsye më shumë pse ne presim që ekonomia globale të bjerë në recesion vitin e ardhshëm”.
Në një lagje të Nairobit, e njohur për riparimin e makinave dhe shitjen e pjesëve të automjeteve, bizneset janë në vështirësi dhe klientët të pakënaqur. Me shilingun kenian që ka rënë 6% këtë vit, kostoja e karburantit dhe pjesëve rezervë të importuara po rritet aq shumë sa që disa njerëz po zgjedhin të heqin dorë nga makinat e tyre dhe të përdorin transportin publik.
“Kjo është gjëja më e keqe”, tha Michael Gachie, menaxher i blerjeve tek firma “Shamas Auto Parts”.
“Klientët po ankohen shumë”.
Megjithatë, rritja e dollarit më 2022 është jashtëzakonisht e dhimbshme. Ai po i shton presionet globale të inflacionit në një kohë kur çmimet janë rritur. Ndërprerjet në tregjet e energjisë dhe bujqësisë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë u shtohen problemeve me zinxhirrin e furnizimit të shkaktuara më parë nga recesioni dhe rimëkëmbja e pandemisë së virusit “COVID-19”. /voa
Rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë...
Kastrati prezanton të dhënat finale të regjistrimit të popul...
Signo kërkon falje publike ndaj Donnarummas, thotë se nuk is...
Aksident trafiku mes dy kamionëve në autostradën Veternik-Br...
Zyrtare: Kosova ka 1,586,659 banorë rezidentë
Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë procesin e regjistrimit t...