Vera që supozohej të sillte pavarësinë e Amerikës nga COVID-19, po bën në fakt që Shtetet e Bashkuara të vihen fuqishëm nën tiraninë e virusit, pasi vdekjet ditore kanë arritur përsëri në caqet ku ishin në muajin mars.
\Varianti delta po mbush spitalet, duke prekur një numër alarmant fëmijësh dhe duke i çuar vdekjet nga koronavirusi në disa zona në nivelet më të larta gjatë gjithë pandemisë. Sistemet arsimore që rihapën ambjentet shkollore po kthehen papritur në mësimin në distancë për shkak të infektimeve.
Mosmarrëveshjet ligjore, kërcënimet dhe dhuna kanë shpërthyer lidhur me kërkesat për mbajtjen e maskës dhe për të bërë vaksinat.
Numri i të vdekurve në SHBA llogaritet në më shumë se 650,000 dhe një model kompjuterik parashikon se kjo shifër do të kalojë 750,000 viktima deri më 1 dhjetor.
“Dukej sikur kishim arritur një kthesë pozitive,” thotë Katie Button, shefe ekzekutive në dy restorante në Asheville të Karolinës së Veriut. “Varianti delta e fshiu atë plotësisht”.
Nuk parashikohej të ndodhte kështu. Më shumë se gjashtë muaj pas fillimit të fushatës së vaksinimit në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Joe Biden mbajti një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë më 4 korrik për të festuar lirinë e vendit nga virusi dhe udhëheqës të tjerë politikë kishin shpresa të mëdha për një verë pranë normales.
Por në fund të verës është një situatë ndryshe.
Varianti delta, shumë ngjitës, u kombinua me rezistencën e fortë ndaj vaksinimeve që u shfaqën paralel me ndasitë politike dhe gjeografike, tha Dr. Sten Vermund, me universitetin Yale.
“Virusi u përhap më lehtë në mesin e të pavaksinuarve dhe në këtë mënyrë zbehu përfitimet e pritshme të vaksinave”, tha zoti Vermund.
Kriza u përshkallëzua me shpejtësi nga qershori deri në gusht. Rreth 400,000 infeksione me koronavirus u regjistruan për të gjithë qershorin. U deshën vetëm tre ditë javën e kaluar për të arritur të
njëjtin numër.
SHBA regjistroi 26,800 vdekje dhe më shumë se 4.2 milionë infeksione në gusht. Numri i rasteve pozitive mujore ishte totali i katërt më i lartë që nga fillimi i pandemisë.
Varianti delta i vitit 2021 po vret amerikanët e rinj me një shkallë shumë më të lartë se valët e mëparshme të pandemisë.
Shtetet e Bashkuara tani regjistrojnë mesatarisht mbi 150,000 raste të reja në ditë, nivele që nuk janë parë që nga janari. Vdekjet arrijnë afër 1,500 në ditë, më shumë se një e treta që nga fundi i gushtit.
Edhe para se varianti delta të bëhej dominues, ekspertët thanë se kishte tregues që grumbullime në numër më të madhë dhe masat e zbutura të distancimit fizik po rrisnin ritmin e infektimeve.
“Ne ishim të izoluar për më shumë se një vit dhe të gjithë donin të dilnin jashtë”, tha Dr David Dowdy, epidemiolog në Shkollën e Shëndetit Publik Johns Hopkins. “Përballë këtij lloj ndryshimi të fortë në sjellje, as vaksinimi i pothuajse dy të tretave të popullsisë të rritur nuk ishte i mjaftueshëm”.
Vaksinat kundër COVID-19 vazhdojnë të jenë shumë efektive kundër shtrimit në spital dhe vdekjeve, por dhjetëra miliona amerikanë ende nuk janë vaksinuar. Gati 40% e amerikanëve 12 vjeç e lart nuk janë plotësisht të mbrojtur./voa/
Pas puthjes që bëri shumë bujë, Gresa dhe Vullneti vijnë me ...
Spanja ndërmerr operacionin më të madh në kohë paqeje për të...
Kurti takon mërgimtarët në Zvicër: Krenar për lidhjet e fort...
Harris: Nga bijë emigrantësh, tek një emërim historik për pr...
PSG-ja fiton minimalisht ndaj Lens dhe vazhdon shkëputjen ng...
Analistët komentojnë kërkesën për status të ri të gjuhës ser...