Gazsjellësi Nord Stream 2 ka kohë që është bërë një çështje politike. Kundërshtarët kryesorë janë SHBA, por edhe Franca dhe vende të tjera perëndimore kërkojnë bllokimin e projektit, edhe pse secili ka arsyet e veta. Ndërkohë edhe opinioni i brendshëm po e rrit trysninë mbi qeverinë gjermane që të ndryshojë pozicion.
Franca i mëshon të drejtave të njeriut
Arsyeja për kërkesën franceze për një ngrirje të projektit është arrestimi i kritikut të Kremlinit, Alexej Navalny, dhe arrestimi i mijëra mbështetësve të tij gjatë protestave të ditëve të fundit në Rusi. Navalni u dënua të martën me tre vjet burg, në një gjyq tepër të diskutuar. Sanksionet e deritanishme të BE-së nuk mjaftojnë, kishte argumentuar më parë sekretari francez për Evropën, Clément Beaune.
Protesta në Moskë kundër dënimit të opozitarit Aleksej Navalni, 3.2.2021
Vetë Franca është e përfshirë në financimin e tubacionit të parë Nordstream 1 me rreth 950 milionë euro përmes kompanisë energjetike publike Engie. Por ajo vetë është shumë më pak e varur nga gazi natyror sesa Gjermania. Franca mbulon rreth 70 përqind të nevojave të saj për energji elektrike nga energjia bërthamore.
Çfarë roli luan SHBA?
Nord Stream 2 ishte një nga pikat e shumta të mosmarrëveshjeve mes administratës së ish-presidentit Donald Trump dhe qeverisë gjermane. Por në këtë çështje dhe presidenti i ri i SHBA-ve, Joe Biden, është në linjën e Trumpit. Ky i fundit kishte vendosur sanksione për kompanitë e pjesëmarrëse në projekt.
Analistët mendojnë se qëndrimi amerikan ka të bëjë me interesa të mirëfillta ekonomike, konkretisht me rezervat e gazit fraksionues të SHBA-ve në Evropë, shitja e të cilave në kuadër të programit “Buy american” të presidentit Biden, do ta ndihmonte ekonominë amerikane, të dëmtuar tashmë nga pandemia. Por ka edhe një interes në politikën e jashtme: që të mos forcohet rivali kryesor i saj, Rusia.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti amerikan Joe Biden. Nord Stream 2 ishte një nga temat e bisedës së tyre të parë telefonike në fund të muajit të kaluar.
Edhe pse politika është e njëjtë si e Trumpit, administrata e Bidenit duket se ka zgjedhur një stil tjetër komunikimi me Gjermaninë. Sipas një artikulli në revistën Handelsblatt, SHBA ka ofruar gatishmëri për bisedime: “Gjermanët duhet të ofrojnë një zgjidhje si pako”, është shprehur një nëpunës i administratës për të përjavshmen gjermane ekonomike. “Ndryshe nuk do të arrijmë ta zgjidhim çështjen Nord Stream 2”.
Gjermania e izoluar
Qeveria gjermane deri tani është shprehur kundër ndërprerjes së projektit. Të hënën, në konferencën e shtypit të qeverisë, zëvendëszëdhënësja, Martina Fietz, e theksoi se “qëndrimi i qeverisë nuk ka ndryshuar”. Argumentimi i deritanishëm i Gjermanisë është se ky projekt është i karakterit ekonomik. Por vëzhgues të ndryshëm janë të mendimit se këtu ka një kundërthënie: Gjermania, e cila nga njëra anë paralajmëron për shkeljet e të drejtave të njeriut në Rusi dhe kërcënon me sanskione, nuk është e gatshme ta ndërpresë këtë projekt.
Edhe Parlamenti Evropian është kundër projektit. Bashkimi Evropian këmbëngul që gazsjellësi Nord Stream 2 nuk është një projekt evropian, por në thelb një çështje gjermane. Përfaqësuesi i jashtëm i BE, Josep Borrell, tha në fund të vitit të kaluar se e ardhmja e projektit ishte në duart gjermane.
Trysni nga brenda
Në Gjermani, gjithashtu, ka zëra në rritje kundër tubacionit. Mbi të gjitha të Gjelbrit dhe FDP janë shprehur kundër ndërtimit të mëtejshëm. Por edhe shumë analistë në gazetat gjermane kërkojnë nga Gjermania që të heqë dorë nga ky projekt. Kështu për shembull portali Ntv.de shkruan në një koment të botuar të mërkurën, 3.2.2021, se pas dënimit të Navalnit, “qeveria gjermane duhet të shfrytëzojë shansin e fundit për të korrigjuar një gabim të rëndë”. Ndërsa revista “Der Spiegel” argumentonte në numrin e djeshëm të versionit online për përparësinë e shmangies së kostos politike ndaj dëmit ekonomik. “Çmimi politik i gazsjellësit është shumë i lartë. Ndërtimi i Nord Stream 2 duhet të ndalet dhe ky do t’i sinjalizonte Navalnit dhe torturuesit të tij, Putinit, se me Gjermaninë nuk mund të bëhet më biznes kaq lehtë”.
Gazsjellësi Nord Stream 2 kalon nëpërmjet Detit Baltik. Ai nis në Rusi dhe përfundon në Gjermani
Çfarë është në Nord Stream 2
Nord Stream 2 është një tubacion gazi prej 1 200 kilometrash, që do të përshkojë Detin Baltik. Është projekti i dytë pas gazsjellësit Nord Stream 1, i cili hyri në punë në vitin 2011. Së bashku, të dy gazsjellësit pritet të sjellin në Evropë deri në 110 miliardë metra kub gaz natyror. Gazsjellësi fillon në Ust-Luga, Rusi dhe do të përfundojë në Lubmin afër Greifswaldit në Gjermani. Pronari i tij është kompania shtetërore ruse, Gazprom. Pesë kompani energjetike evropiane janë përfshirë si investitorë financiarë, të cilët po financojnë deri në 50 përqind të vëllimit të investimeve të vlerësuar fillimisht në 8 miliardë euro: Engie (Fracnë), OMV (Austri), Shell (Britani/Holandë) si edhe Wintershall dhe Uniper nga Gjermania./DW/
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës