Google ADS

Rritet numri i viktimave nga shpërthimet në Rumani

14:41 | 27 Gusht 2023
E.H

Numri i viktimave nga shpërthimet në një pikë karburantesh në periferi të Bukureshtit është rritur në dy.

Nga shpërthimet më 26 gusht, që shkaktuan zjarr në Rumani, u lënduan edhe 57 persona.

Në mesin e të lënduarve, shumica prej të cilëve kanë djegie të rënda, janë edhe 39 zjarrfikës dhe katër zyrtarë policorë, tha kreu i departamentit të emergjencave, Raed Arafat.

Shtatë pacientë, që kanë pësuar djegie të rënda, janë transferuar në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian për trajtim mjekësor, shtoi ai. Një avion ushtarak ka transportuar dy pacientë në Milano të Italisë.

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, shkroi në Facebook se “jam thellësisht i mërzitur” pas shpërthimeve, ngjarje të cilën ai e përshkroi si “tragjedi”.

Arafat tha se pika e karburantit, ku shitej gaz i lëngshëm për pajisjet shtëpiake dhe disa automjete, kishte punuar pa licencë në Krevedia, një qytet që gjendet rreth 20 kilometra në verilindje të Bukureshtit.

Ndërtesa ku gjendej pika është në pronësi të kompanisë së quajtur SC Flagas, që është nën kontrollin e Ionut Doldurea, djalit të kryetarit të Karakalit, një qytet rreth 75 kilometra në perëndim të kryeqytetit rumun.

Shpërthimi i parë shkaktoi një zjarr masiv, ndërkaq shpërthimi i dytë ndodhi në kohën kur ekipet e shpëtimit po përballeshin me flakët.

Raportohet se edhe një cisternë e tretë e mbushur me karburante gjendet ende në vendin e ngjarjes. Edhe pse flakët u shuan gjatë natës, zjarrfikësit po vazhdojnë punën në vendngjarje. Mbi 3.000 persona janë evakuuar nga zona përreth.

Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin e parë dhe autoritetet kanë nisur hetimet për këtë ngjarje.

Publiku ka shprehur zemërim lidhur me pretendimet për korrupsion dhe mungesë të inspektimeve nëse kompanitë e këtij sektori respektojnë rregullat e sigurisë.

Më 2015, 64 persona vdiqën nga zjarri në një klub nate në Bukuresht që u shkaktua nga hedhja e fishekzjarrëve./rel

Të ngjashme