Ka shkuar në tre numri i fëmijëve të vdekur nga sulmi i së hënës në një ngjarje vallëzimi në veri të Anglisë.
Policia konfirmoi të martën se fëmija i tretë vdiq si pasojë e plagëve të marra në sulmin me thikë një ditë më parë në Southport, në veri të Liverpulit.
Një 17-vjeçar po mbahet në paraburgim si i dyshuar për vrasje dhe tentim vrasje, pas incidentit në “seminarin e jogës dhe vallëzimit Taylor Swift” në Southport, një ngjarje verore për fëmijë të moshës mes gjashtë dhe 11 vjeç.
Policia tha se që të tri viktimat janë vajza të moshës gjashtë, shtatë dhe nëntë vjeçare. Tetë fëmijë të tjerë pësuan lëndime, prej të cilëve pesë janë në gjendje të rëndë.
Dy të rritur u plagosën rëndë në përpjekje për t’i mbrojtur fëmijët nga sulmuesi i armatosur me thikë, tha policia.
Këngëtarja amerikane Taylor Swift tha se ndihet e tmerruar me atë që ndodhi në Southport.
“Më ka kapluar tmerri i sulmit të djeshëm në Southport, jam plotësisht e tronditur. Ata ishin thjesht fëmijë të vegjël duke mësuar vallëzim”, shkroi ajo në Instagram.
Adhuruesit e këngëtares amerikane grumbulluan mbi 64.000 dollarë online për t’i ndihmuar familjet e viktimave dhe për spitalin ku po mjekohen disa prej fëmijëve të plagosur.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, e quajti të “tmerrshëm” sulmin, ndërsa Mbreti Charles dhe familja e tij thanë se janë të tronditur nga kjo ndodhi.
Policia e Merzesajd tha se nuk është i qartë motivi i sulmit, por nuk besohet se ka të bëjë me terrorizëm. Policia nuk është në kërkim të ndonjë personi tjetër në lidhje me sulmin./rel
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...