Është rritur në 63 numri i të vdekurve nga zjarri që kaploi një ndërtesë shumëkatëshe të enjten në Johanesburg, qytetin më të madh të Afrikës Jugore, njoftuan autoritetet.
Shërbimi Emergjent i Johanesburgut tha se më shumë se 40 persona të tjerë u lënduan nga zjarri, i cili shpërtheu në orët e hershme të 31 gushtit.
“Aktualisht i kemi 63 të vdekur. Kurse janë edhe 43 të lënduar, të cilët janë dërguar në qendra të ndryshme spitalore”, tha Robert Mulaudzi, zëdhënës i Shërbimit Emergjent.
Mulaudzi bëri të ditur se zjarri tashmë është shuar dhe se operacioni i kërkimit është duke u zhvilluar në ndërtesën e nxirë në qendër të Johanesburgut.
Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë, theksoi ai.
“Po shkojmë nga kati në kat për t’i tërhequr trupat. Kjo është një ditë e trishtueshme për qytetin e Johanesburgut. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë gjatë 20 vjetëve sa jam në shërbim”, theksoi Mulaudzi.
Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, ndërkohë që njerëzit nga ndërtesa janë evakuuar plotësisht tashmë.
Mulaudzi theksoi se ndërtesa ishte “një vendbanim joformal” ku njerëzit e pastrehë ishin vendosur në kërkim të akomodimit pa ndonjë marrëveshje kontrate formale. Sipas tij, kjo e ka bërë të vështirë kërkimin e njerëzve në këtë objekt.
Në ndërtesë mund të kenë qenë duke jetuar rreth 200 njerëz, sipas dëshmitarëve.
Uzurpimi i jashtëligjshëm i ndërtesave të papërdorura në qendër të qytetit është i madh dhe thuhet se shumë prej tyre janë nën kontrollin e sindikatave kriminale, të cilët marrin qira nga banuesit.
Në qershor, zjarri në një ndërtesë të vjetruar në Johanesburg la të vdekur dy fëmijë nën moshën 10-vjeçare, të cilët kishin mbetur të ngujuar në një banesë./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...