Numri i viktimave që pësuan nga sulmi i forcave të gjeneralit Khalifa Haftar ndaj një qendre migrantësh të parregullt në lindje të kryeqytetit të Libisë, Tripoli, është rritur në 44, transmeton Anadolu Agency (AA).
Numri i viktimave u përditësua nga Përfaqësia Speciale e OKB-së në Libi, e cila në një deklaratë me shkrim tha se mbi 130 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga sulmi ajror në rajonin Tajoura.
Në deklaratë thuhet se qendra me mbi 600 migrantë të parregullt ka qenë shënjestër e një sulmi të dytë.
Ghassan Salame, përfaqësuesi special i OKB-së në Libi, ka bërë thirrje për ndëshkim të duhur ndaj “urdhëruesit të këtij operacioni që shkel ligjin ndërkombëtar dhe normat më bazike humane, realizatorëve dhe furnizuesit me armë për këtë operacion”.
“Ky sulm, i cili shënjestroi njerëzit që ishin të detyruar të qëndronin në këtë strehimore në gjendje të mjerueshme sikur të bastisen, mund të përbëjë krim lufte”, ka thënë Salame, citohet në deklaratë.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli, e cila gëzon legjitimitet ndërkombëtar, ka fajësuar forcat e gjeneralit Khalifa Haftar në lindje të vendit, ndërkohë që pala e Haftarit vazhdon të ruajë heshtjen lidhur me rastin.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm i GNA-së, Fathi Bashagha, në një prononcim për Associated Press ka thënë se prapa sulmit qëndrojnë shtetet që mbështesin Haftarin.
Bashagha është shprehur se “shtetet aleate të Haftarit kanë kaluar në marrëzi” pasi gjenerali i forcave të bazuara në lindje javën e kaluar humbi qytetin kritik Gharyan.
Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Egjipti janë në mesin e mbështetësve kryesorë të Haftarit.
Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë (UNHCR) ka njoftuar se nëpër qendrat e strehimit në Libi gjenden 6.000 migrantë, prej të cilëve 3.000 përballen me rrezik për jetë për shkak të afërsisë me zonat konfliktueze dhe për këtë arsye duhet evakuuar sa më parë.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në lindje të vendit, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.
Situata eskaloi pasi Khalifa Haftar në prill nisi një ofensivë ushtarake për të pushtuar kryeqytetin Tripoli, ku gjendet selia qeverisë së mbështetur nga OKB-ja.
BIK dhe “Mbreti Selman” do t’u dhurojnë 500 fëmijëve jetimë ...
Prokuroria Themelore në Prishtinë nesër mban konferencën për...
BQK lansoi Platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbi...
Vazhdon “magjia” e Cole Palmer në Premier League
Evertoni i ndali me barazim tre gjigantët e Premier Leagues ...
39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë për 9 të akuzuarit në...