Që nga ditët e para të agresionit rus kundër vendit të tij, lutjet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy drejtuar SHBA-së për avionë të avancuar luftarakë kanë mbetur pa përgjigje. Ndonëse ekspertët paralajmërojnë se avionët mund të mos bëjnë ndonjë ndryshim të shpejtë në luftë, ideja po fiton mbështetje.
Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut gjatë fundjavës, nënpresidentja Kamala Harris akuzoi drejtpërdrejt Rusinë për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit në Ukrainë. Dy ligjvënës të lartë republikanë përsëritën thirrjet për të armatosur Ukrainën me aeroplanë të avancuar.
Senatori republikan Lindsay Graham, shfrytëzoi deklaratën e zonjës Harris për të nxitur administratën e Presidentit Joe Biden të ndërmarrë hapat e parë drejt furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë.
“Më lejoni të theksoj këtë: si mund ta quani këtë luftë nga Rusia një krim kundër njerëzimit … dhe të mos i jepni viktimës së krimit të tyre kundër njerëzimit armët mbrojtëse, që u nevojiten për të ndaluar krimin?” tha zoti Graham në një intervistë për rrjetin ABC News. “Ne duhet të bëjmë dy gjëra shpejt: ta shpallim Rusinë një shtet që mbështetet terrorizmin, sipas ligjit amerikan, gjë që do ta bënte më të vështirë për Kinën t’i japë armë Rusisë dhe ne duhet të fillojmë të trajnojmë tani pilotët ukrainas për aeroplanët F-16 ”.
‘Gjithçka që mundemi’
Gjithashtu në Mynih, Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvenësi republikan nga Teksasi, Michael McCaul, i tha televizionit CNN se ai gjithashtu dëshiron që presidenti Biden t’i dërgojë avionët Ukrainës.
“Fakti është se sa më gjatë të presin, aq më shumë do të zgjasë ky konflikt”, tha zoti McCaul.
Komentet nga zoti Graham dhe zoti McCaul erdhën vetëm disa ditë pasi një grup dypartiak ligjvënësish në Dhomën e Përfaqësuesve, i dërgoi një letër zotit Biden duke kërkuar gjithashtu dërgimin e aeroplanëve F-16 për Kievin.
“Furnizimi me avionë të tillë është i nevojshëm për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë hapësirën e saj ajrore nga sulmet ruse, si dhe duke patur parasysh rritjen e pritshme të operacioneve luftarake në shkallë të gjerë”, shkruan ata.
Presidenti Biden ngurrues
Presidenti Biden nuk ka qenë entuziast për idenë e ofrimit të avionëve luftarakë të avancuar për forcat e armatosura ukrainase, nga shqetësimi se pajisja e Kievit me armë, që kanë aftësi të godasin brenda kufirit të Rusisë, mund të përshkallëzojë konfliktin.
Në fund të janarit, kur u pyet nga një gazetar nëse SHBA-ja do t’i dërgonte Ukrainës avionët F-16, zoti Biden u përgjigj prerazi, “Jo”.
Zyrtarët e administrates Biden, duke folur në kushte anonimiteti, kanë paralajmëruar se përpjekja për të furnizuar Ukrainën me një sistem të ri luftarak në mes të një lufte aktive do të ishte jashtëzakonisht e vështirë, pasi forcat e saj ajrore nuk kanë përvojë me avionë të ndërtuar në mënyrë të ngjashme me F-16.
Megjithatë, jo shumë kohë më parë administrata, përfshirë vetë presidentin, po jepte argumente të ngjashme kundër dhënies së Kievit të tankeve M1 Abrams. Por pas javësh presioni dhe pasi Gjermania e kushtëzoi dhënien e tankeve të saj për Ukrainën vetëm nëse SHBA do të dërgonte tanket e veta më parë, Shtëpia e Bardhë ndryshoi kurs dhe premtoi 31 prej tyre.
Një dinamikë e ngjashme duket se po luhet tani, me një numër aleatesh të SHBA-së në Evropë, që thonë se janë të hapur për të ofruar avionë luftarakë të avancuar, megjithëse asnjë vend nuk është zotuar ende për ta ndërmarrë këtë hap.
Efektshmëria në pikëpyetje
Ekspertët thanë se do të ishte gabim të besohej se furnizimi i Ukrainës me avionë F-16 ose të ngjashëm do të bënte një ndryshim të rëndësishëm në afatin e afërt.
Ndërsa Ukraina ka një forcë ajrore të krijuar prej kohësh dhe efektive, rezervat e avionëve dhe pjesëve të mirëmbajtjes, janë të gjitha të vjetra, të epokës sovjetike, kryesisht MiG-29 dhe SU-27, që ndryshojnë shumë nga avionët më të avancuar që mund t’i jepen Ukrainës. Kjo do të thotë se përveç avionëve të rinj, Ukrainës do t’i duhet të ndryshojë plotësisht logjistikën e saj dhe të ritrajnojë ushtarët për mirëmbajtjen, gjë që edhe një kohë paqeje, do tëç ishte tejet e vështirë.
Mike “Starbaby” Pietrucha, kolonel në pension i Forcave Ajrore Amerikane dhe veteran i më shumë se 150 misioneve luftarake, i tha Zërit të Amerikës se do të duhen vite, që pilotët ukrainas të arrijnë ekspertizën e nevojshme për të manovruar me avionë F-16 në një mjedis luftarak.
“Ukrainasit kanë tashmë pilotë luftarakë që janë të talentuar dhe me përvojë për avionët e tyre dhe disa nga këto njohuri mund t’i përdorin, por jo aq sa do të ishte e mjaftueshme”, i tha zoti Pietrucha Zërit të Amerikës.
Sfidat e trajnimit, logjistikës
Kur SHBA-ja filloi kalimin në avionët F-16 nga modelet më të vjetra, u deshën vite trajnimi për të përgatitur njësitë e para të gatshme për luftim. Kjo ishte për shkak të kompleksitetit të avionëve dhe rrezikut të natyrshëm në operimin e një avioni supersonik.
Zoti Pietrucha tha se nxitimi i pilotëve ukrainas gjatë stërvitjeve të mundshme pothuajse me siguri do të rezultonte në vdekjen e panevojshme të pilotëve.
“Një nga gjërat më të këqija që mund të ndodhte do të ishte të merrje një grup aviatorësh me përvojë nga Ukraina, t’i fusje në një aeroplan të ri, t’i hidhje përsëri në betejë dhe të prisje që ata të dilnin mirë”, thotë zoti Pietrucha. “Kjo do të mbivlerësonte aftësitë e tyre, do t’I ngarkonte me misione përtej mundësive dhe do të çonte në humbjen e pilotëve që përndryshe mund të kishin qenë kuadri fillestar i instruktorëve nëse me ta do të ishte punuar për një kohë relativisht të arsyeshme”.
Karl P. Mueller, ekspert i shkencave politike në Korporatën amerikane RAND, i tha Zërit të Amerikës se ngritja e një operacioni logjistik dhe mirëmbajtjeje për avionët F-16 në Ukrainë do të ishte gjithashtu një sfidë jashtëzakonisht e vështirë.
“Ky është një operacion i madh, sepse F-16 nuk është projektuar për të qenë një avion që nuk ka shumë nevojë për përkushtim”, tha zoti Mueller. “Është krijuar për të operuar nga bazat kryesore me infrastrukturë të madhe të mirëmbajtjes dhe personelit”.
Sistemi i avancuar i armëve
Aeroplani F-16, edhe pse jo avioni më i avancuar në arsenalin e SHBA-së, është ende një armë e frikshme.
Fillimisht i projektuar nga “General Dynamics” në vitet 1970 dhe i përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme që nga ajo kohë, F-16 është ajo që ekspertët e mbrojtjes e quajnë një avion luftarak “me shumë role”. Me kalimin e viteve, ai ka ndryshuar nga një luftëtar ditor i ndërtuar për të sulmuar objektivat brenda rrezes që duket me sy në një avion shumë më të sofistikuar. F-16 tani është i aftë të operojë natën, duke përfshirë objektiva që janë përtej horizontit dhe duke luajtur role të shumta në një situatë luftarake.
Më shumë se 4,600 avionë janë prodhuar që nga krjimi i tij gati 50 vjet më parë, dhe modele të reja janë duke u ndërtuar ende për disa tregje të huaja. F-16 është në shërbim tek një numër i aleatëve evropianë të SHBA-së, duke përfshirë anëtarët e NATO-s, Danimarkën, Belgjikën, Holandën, Poloninë dhe të tjerë.
Ukraina ka kërkuar zyrtarisht që Holanda, e cila është në procesin e kalimit nga F-16 në avionët më të avancuar F-35, t’i japë disa nga avionët e vjetër që do t’i çmontojë për forcat e armatosura ukrainase. Autoritetet holandeze thanë se po e shqyrtojnë seriozisht kërkesën./VOA
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë