Google ADS

Rriten tensionet në Mesdhe, Turqia dërgon dron të armatosur në Qipro

16:01 | 16 Dhjetor 2019
L G

Një dron i armatosur i forcave turke është lëshuar në një aeroport në veri të Qipros të hënën në kohën kur në rajon janë rritur tensionet për shkak të marrëveshjes mes Libisë e Turqisë për qasje në burimet e pasura me gaz natyror në lindje të Mesdheut.

Droni i tipit “Bayraktar TB2” u lëshua në aeroportin “Geçitkale” në Famagusta rreth orës 7 të mëngjesit. Qeveria e Qipros Veriore më parë e kishte autorizuar shfrytëzimin e këtij aeroporti për mjetet fluturuese pa pilot.

Ky veprim i Turqisë erdhi pas nënshkrimit të marrëveshjes me Libinë muajin e kaluar për shfrytëzimin e rezervave të gazit në pjesën lindore të Detit Mesdhe.

Në këtë marrëveshje parashihet territor më i madh në dispozicion të Turqisë, në kundërshtim me pretendimet territoriale të Greqisë dhe Republikës së Qipros, e cila e kontrollon pjesën jugore të ishullit.

Analistët thonë se dërgimi i këtij droni në Qipro është kërcënim ndaj përpjekjeve të rivalëve për të marrjen e të drejtave të nxjerrjes së gazit, pasi Qiproja Jugore, Greqia, Egjipti dhe Izraeli e përjashtuan Turqinë nga Forumi i Mesdheut Lindor për Gazin.

Për më tepër, Turqia më parë i ka dërguar dy anije për nxjerrjen e gazit në këtë rajon, pavarësisht kërcënimit të Bashkimit Evropian për sanksione.

Turqia nuk e njeh Republikën e Qipros, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, dhe thotë se Republika Turke e Qipros Veriore, e cila njihet vetëm nga Turqia, ka të drejtë të nxjerrë gaz në tërë territorin ujor përreth ishullit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme