Rriten tensionet mes SHBA-ve dhe Turqisë, para takimit Trump-Erdogan

10:22 | 13 Nëntor 2019
Arbresh.info

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan takohet ditën e mërkurë në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump, në një kohë kur marrëdhëniet midis dy vendeve aleate të NATO-s janë tensionuar për shkak të Sirisë dhe blerjes së sistemeve ruse të raketave nga Ankaraja.

Herën e fundit që Erdogan ka qenë në kryeqytetin amerikan ka qenë më 2017, kur truprojat e tij rrahën protestuesit paqësorë pro- kurdë. Incidenti i la politik-bërësve të Uashingtonit shijen e hidhur të represionit që ushtrohet kundër kritikëve të Erdoganit në Turqi dhe sinjalizoi se, Turqia ishte e gatshme ta përdore taktikën e dorës së hekurt edhe jashtë vendit.

Erdogan do që ta shfrytëzojë vizitën “për të treguar se pavarësisht prirjeve të tij autokratike, ai nuk është i përjashtuar nga komuniteti ndërkombëtar. Po ashtu takimi krijon mundësi për të bërë fotografi duke shtrënguar duart, një mesazh të cilin ekipi i Trumpit e jep me dëshirë, për të treguar interesimin që ka për demokracinë dhe të drejtat e njeriut,” thotë Max Hoffman, zëvendësdrejtor për sigurinë kombëtare në Qendrën për progresin amerikan, një think tank me seli në Uashington.

Marrëdhëniet midis dy palëve kanë arritur nivelin më të ulët pasi partneriteti strategjikë është tronditur vitet e fundit, duke kaluar nga kriza në krizë për një mori çështjesh.

Siria dhe sistemi rus i raketave

Goditja e fundit erdhi muajin e kaluar kur ushtria turke dhe një bashkim i fraksioneve aleate rebele filluan një operacion të rrezikshëm ndërkufitar në verilindje të Sirisë, duke luftuar kundër kurdëve, aleatë të Uashingtonit në luftën kundër “Shtetit islamik”, duke detyruar SHBA të largojë trupat nga rajoni kufitar dhe duke shkaktuar një katastrofë humanitare. Turqia bëri një marrëveshje të veçantë me presidentin rus Vladimir Putin, për të larguar milicët kurd nga kufiri, marrëveshje e cila nuk është realizuar krejtësisht.

Muaj më parë, SHBA u inatos me Turqinë për blerjen nga Rusia të sistemeve raketore të mbrojtjes S- 400, për të cilat Uashingtoni thotë se janë të papërshtatshme për NATO-n dhe se venë në rrezik avionët luftarakë F-35. Si pasojë SHBA përzuri Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F- 35, tek i cili Ankaraja ishte partnere.

Kongresi amerikan del kundër Turqisë

Blerja e S-400 dhe operacionet ndërkufitare kundër Forcave Demokratike Siriane të drejtuara nga Njësitë e Mbrojtjes Popullore, krahu ushtarak i kurdëve në Siri, ka bërë që Kongresi amerikan dhe komuniteti politikbërës në Uashington të ndryshojnë shumë mendimin ndaj Turqisë, duke e lënë Erdoganin të mbështetet vetëm tek marrëdhënia personale që ka me Trumpin e paparashikueshëm.

Kongresi i ka bërë presion administratës së presidentit Trump që të vendosë sanksione kundër Turqisë për blerjen e S-400, në bazë të ligjit amerikan të njohur si Countering America’s Adversaries Through Sanctions Act (CAATSA). Përveç kësaj, Dhoma amerikane e Përfaqësuesve kaloi muajin e kaluar një paketë sanksionesh për të dënuar Turqinë për operacionet e saj në Siri, sanksione që pritet të marrin aprovimin edhe nga senati. Në fillim të këtij muaji, Dhoma e Përfaqësuesve aprovoi një rezolutë jo-të detyrueshme që njeh gjenocidin e ushtruar kundër Armenisë gjatë Luftës së Parë Botërore, një hap që zemëroi Ankaranë.

Ditën e diel, Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien e kërcënoi me sanksione Turqinë nëse nuk heq dorë nga blerja e S-400. “Turqia do ta ndiejë efektin e këtyre sanksioneve,” tha O’Brien për stacionin televiziv CBS’s. “NATO nuk ka vend për S-400. Tek NATO nuk ka vend për blerjen e armatimeve të rëndësishme ruse. Ky është mesazhi që presidenti do i jap shumë qartë Erdoganit, kur të jetë këtu,” tha O’Brien.

Pavarësisht kërcënimeve të përsëritura për një sërë aksionesh turke vitet e fundit, Erdogani vazhdon të veprojë kundër interesave amerikane dhe kundër çdo shenje demokracie në Turqi.

“Turqia i sheh Shtetet e Bashkuara si kur kanë synime të këqija, dhe sillet sikur Uashingtoni ka më shumë nevojë për Turqinë se sa Turqia për Shtetet e Bashkuara,” thotë Howard Eissenstat, asistent profesor në Universitetin St. Lawrence.

Tensione dhe mosmarrëveshje

Diferencat midis dy palëve janë edhe më të mëdha se sa Siria dhe S-400. Turqia vazhdon të kërkojë për naftë në ujërat e kontestueshme të Qipros, dhe ndërkohë që Uashingtoni ka ushtruar kritika të lehta për shkeljet e të drejtave të njeriut, shqetësimet janë rritur për punonjësit e konsullatës amerikane që janë arrestuar si pjesë e masave të marra nga Turqia. Përveç kësaj, Turqia ka ndihmuar Venezuelën të pastrojë para dhe flori, për t’i shpëtuar sanksioneve amerikane. Po ashtu marrëdhëniet miqësore me Iranin, bien ndesh me politikën amerikane.

Çështjet kryesore të Ankarasë, janë kërkesa e bërë kohë më parë për ekstradimin e Fetullah Gylenit, predikuesit islamist turk, të vendosur në SHBA, të cilin Erdogani e akuzon për grushtin e shtetit të 2016, dhe vazhdimi i marrëdhënieve të SHBA me milicinë kurde, të cilën Turqia e quan terroriste.

Erdogani përballet me akuza korrupsioni, të cilat janë bërë të ditura nga një proces i hapur muajin e fundit në një gjykatë amerikane, kundër bankës shtetërore turke Halkbank për skema të përdorura për të anashkaluar sanksionet e vendosura kundër Iranit.

“Pavarësisht atmosferës së mjegulluar në marrëdhëniet tona, unë jam dakord me Trumpin që thotë se problemet do të zgjidhen dhe marrëdhëniet tona do të përmirësohen,” tha Erdogan ditën e martë në Ankara, para se të niste fluturimin për Uashington. “Lufta kundër terrorizmit është prioriteti ynë. Ne duam të fillojmë një epokë të re për çështjes që shqetësojnë sigurinë e dy vendeve.”

Hoffman thotë se Erdogani do të vijë në Shtëpinë e Bardhë me kërkesën konkrete të mbrojtjes nga sanksionet, kërkesën për të ndihmuar në largimin e luftëtarëve kurdë nga Siria veriore, shmangien e dënimit të Halkbank, dhe zgjidhjen e çështjes së S-400 në favor të Ankarasë.

“Po të shohim kërkesat që ai sjell me vete në Uashington, del se shumë prej tyre janë jashtë kompetencave të Trumpit.”/DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme