“Rriten me 40 për qind rrëmbimet në Gjirin e Guinesë”

14:37 | 15 Tetor 2020
Arbresh.info

Megjithëse një nga rajonet më të pasura të botës për sa i përket burimeve natyrore të pashfrytëzuara, Gjiri i Guinesë është bërë famëkeq për shkak të incidenteve piraterike dhe rrëmbimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Byrosë Ndërkombëtare të Detërave (IMB), rajoni që shtrihet brenda bregdetit Perëndimor dhe Afrikës Qendrore, i rrethuar nga Oqeani Atlantik ka dëshmuar një rritje prej 40 për qind të rasteve që lidhen me piraterinë dhe rrëmbimet në 9 muajt e parë të vitit 2020.

Piratët e armatosur me armë dhe thika po rrëmbejnë grupe të mëdha marinarësh në distanca më të largëta nga bregu i Afrikës Perëndimore.

Agjencia detare njoftoi për 132 sulme që nga fillimi i vitit 2020, nga 119 incidente në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga 85 marinarë të rrëmbyer nga anijet e tyre dhe të mbajtur për shpërblim, 80 u morën në Gjirin e Guinesë në 14 sulme të raportuara nga Nigeria, Benini, Gaboni, Guinea Ekuatoriale dhe Gana.

“Ekuipazhet po përballen me presione të jashtëzakonshme për shkak të COVID-19 ndërsa rreziku i piraterisë së dhunshme ose grabitjes me armë është një stres shtesë”, tha drejtori i IMB-së, Michael Howlett.

Në deklaratë thuhet se Gjiri i Guinesë është pika e nxehtë e piraterisë në botë me rreth 95 për qind të rrëmbimeve globale që raportohen nga ujërat e saj.

Vendet në brigjet e Gjirit të Guinesë janë, Gana, Togo, Benini, Nigeria, Kameruni, Gaboni, Guinea Ekuatoriale, Sao Tome dhe Principe, Republika Demokratike e Kongos, Republika e Kongos dhe Angola.

IMB paralajmëroi se bandat pirate në zonë janë “mirë të organizuara dhe shënjestrojnë të gjitha llojet e anijeve në një gamë të gjerë”.

Më parë këtë muaj Guinea Ekuatoriale njoftoi lirimin e 5 personave të cilët ishin rrëmbyer muaj më parë në Gjirin e Guinesë.

Në të thuhej se lirimi i pengjeve, një ukrainas dhe tre rusë, erdhi pas operacioneve të inteligjencës të koordinuara me Republikën Federale të Nigerisë.

Pirateria në Gjirin e Guinesë mbetet shqetësuese për vendet në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore ndërsa vendet më të prekura janë Nigeria, Togo dhe Bregu i Fildishtë, bën të ditur Zyra e OKB-së për Afrikën Perëndimore (UNOWA) dhe Sahel.

Që nga viti 2002, në rajon ndodhën 610 sulme. Kjo thekson nevojën për një strategji bashkëpunuese rajonale detare të cilën UNOWA e ka mbështetur përmes ndikimit të saj politik si dhe kontributeve të ekspertëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme