Ndërsa afrojnë zgjedhjet presidenciale të këtij viti, votuesit amerikanë janë të ekspozuar ndaj ndërhyrjeve keqdashëse që nëpërmjet inteligjencës artificiale krijojnë dezinformim, qoftë për të ndihmuar politikanët rivalë, apo në shërbim të interesave të qeverive të huaja. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Ivanna Pidborska njofton rreth përdorimit të inteligjencës artificiale në zgjedhjet e 2024-ës.
Inteligjenca artificiale është bërë tashmë e pranishme në këtë cikël zgjedhor si në fotografitë e prodhuara me kompjuter ku ish-presidenti Donald Trump shfaqet duke përqafuar ekspertin e sëmundjeve ngjitëse, dr. Anthony Faucin, ose në zërin e sajuar të presidentit Biden për një telefonatë që u kërkonte votuesve në Nju Hempshër të mos merrnin pjesë në zgjedhjet paraprake.
Momenti i përzgjedhur për përhapjen e këtyre materialeve false i bën ato edhe më të rrezikshme, thotë ekspertja e mediave Elaine Kamarck, nga Instituti Brookings.
“Edhe 24 orë përpara zgjedhjeve, dikush mund të nxjerrë një material fals ose një dezinformim. Është shumë e vështirë të luftohet; në zgjedhjet me rezultat shumë të ngushtë kjo mund të bëjë dallimin mes fitores dhe humbjes”, thotë ajo.
Firma “DeepMedia” e Rijul Guptas, ndihmon Pentagonin të identifikojë materialet false, për të cilat ai thotë se janë popullore për shkak se nuk kushtojnë dhe mund të prodhohen me lehtësi.
“Duhen 15 minuta për të krijuar një material krejtësisht fals.
Ka shumë shërbime të tilla falas në internet. Nëse doni të paguani për diçka të cilësisë më të mirë, 30 sekonda audio kushtojnë ndoshta 2 centë”, thotë zoti Gupta.
Ari Cohn është jurist dhe aktivist për lirinë e shprehjes.
“Është folur shumë për Rusinë, por edhe Kina është veçanërisht e përfshirë në garën e inteligjencës artificiale për të arritur avantazhin”, thotë ai.
Zoti Cohn thotë se operacionet më të sofistikuara nga jashtë synojnë të “mbjellin” një segment të caktuar dezinformimi me amerikanët që kanë influencë, në mënyrë që ata t’ua shpërndajnë në vazhdim të tjerëve.
Firmat më të mëdha teknologjike amerikane dhe platformat e mediave sociale kanë premtuar një formë vetë-qeverisjeje të inteligjencës artificiale gjatë fushatave elektorale, por momentalisht nuk ekzistojnë ligje federale për këtë.
“Është shumë, shumë e vështirë të bësh legjislacion për diskursin politik në Shtetet e Bashkuara. Amendamenti i Parë i Kushtetutës e mbron lirinë e shprehjes politike me shumë forcë dhe me të drejtë: Ne nuk dëshirojmë që qeveria të ketë rol në rezultatin e zgjedhjeve”, thotë zoti Cohn.
Zoti Gupta thotë se vështirësia më e madhe është tek diferencimi mes diçka që është false dhe diçka që përshkruan një çështje në një mënyrë që dikush mund të mos jetë dakort.
“Cilësia e dobët e audios p.sh. mund të jetë një tregues se është material i prodhuar me inteligjencën artificiale. Mund të duket si qesharake, por duke gjurmuar për këto shenja të vogla dhe duke i pikasur ato me shpejtësi në imazhe, audio dhe video, mund të ndihmojë për të filtruar shumë prej tyre. Pra, nëse p.sh. jeni në një videokonferencë me dikë dhe dyshoni se mund të jenë pamje të sajuara, mund t’u kërkoni p.sh. të rrotullohen karrige. Nëse nuk e bëjnë këtë, ka mundësi që janë pamje të prodhuara me inteligjencën artificiale”, thotë zoti Gupta.
Zoti Cohn thotë se inteligjenca artificiale mund të përdoret edhe për qëllime pozitive në politikë. Mund t’u lejojë kandidatëve të komunikojnë me komunitete të diasporës në gjuhën që ata zotërojnë, apo mund t’u japë ekipeve të fushatave elektorale të dhëna më të sakta për preferencat e votuesve, në mënyrë që ta përshtasin më mirë mesazhin e tyre në zgjedhje.
Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë, ja çfarë su...
Notat e lojtarëve: Real Madrid 1-3 Milan, Maignan heroi i ...
Dita e Zgjedhjeve përgjithësisht e qetë, me probleme dhe von...
Çështjet që shqetësojnë votuesit janë demokracia dhe ekonomi...
Kevini mundohet ta puthë Anën, kjo e fundit befason me vepri...
Disa fakte për zgjedhjet në SHBA