Google ADS

“Rrezik lufte në Ballkanin Perëndimor”, Javelin në Kosovë, Rusia kritikon SHBA: Po kënaqni Kurtin

16:08 | 17 Janar 2024
R J

Rusia ka reaguar me kritika ndaj Shteteve të Bashkuara për armatosjen e Kosovës, pavarësisht se vetë është furnizuesi më i madh me armë i Serbisë.

Zëdhënsja e ministrisë së jashtme, Maria Zakharova, aplifikoi qëndrimin e Beogradit, duke pretenduar se Uashingtoni dhe Prishtina po shkelin ligjet ndërkombëtare me krijimin dhe forcimin e Ushtrisë së Kosovës, por duke iu referuar si “strukturë ilegale paraushtarake”.

Sipas saj, 246 raketat Javelinët amerikanë në Kosovë mund të sjellin dhe luftë në Ballkanin Perëndimor.

“Po flasim për çdo përpjekje për të armatosur strukturat ilegale paraushtarake të Prishtinës. Papërgjegjësia dhe mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar dhe dispozitave të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e treguar nga Uashingtoni dhe aleatët e tij, minon procesin e negociatave për çështjen e Kosovës dhe shton rrezikun e destabilizimit si në vetë provincën, ashtu edhe në rajonin e Ballkanit.”

Zyrtarja e Rusisë, duke mohuar ekzistencën e Kosovës si shtet i pavarur, ndryshe nga realiteti, pretendon se krijimi dhe forcimi i ushtrisë nga Amerika dhe aleatët e saj “po bëhet vetëm për t’i shërbyer ambicieve nacionaliste të kryeministrit Albin Kurti”.

Zaharova përsërit më tej akuzat e zakonshme të Serbisë se kryeministri Kurti është ai që krijon tensione me qëllim të frikësojë serbët të largohen nga Kosova dhe të heqin dorë nga Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Për të arritur këtë, shqiptarët e Kosovës do të përdorin të gjitha metodat e disponueshme të frikësimit, terrorit të hapur kundër civilëve, fëmijëve dhe të moshuarve, gjë që ne e kemi theksuar vazhdimisht. Dhe tani Uashingtoni dëshiron t’u japë armë më serioze radikalëve kosovarë, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara, do të ndihmonin në forcimin e të ashtuquajturës ‘pavarësi’ të tyre.”

Kohët e fundit, presidenti serb Aleksandër Vuçiç është shfaqur shumë afër Rusisë, pavarësisht kritikave të SHBA-ve dhe BE-së./A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme