Alarmi i kuq është ndezur për miliona njerëz në Afganistan të cilët nuk mund të plotësojnë nevojat e tyre themelore, veçanërisht ato për ushqim, tha Mücahit Kılıç, përgjegjës i organizatës humanitare turke IHH për Afganistanin.
Mücahit foli me korrespondentin e Anadolu Agency (AA) në lidhje me situatën e fundit në Afganistan dhe punën e IHH-së.
“Fatkeqësisht, situata në Afganistan nuk është e mirë. Sidomos për shkak të konflikteve të viteve të fundit, njerëzve nga shumë pjesë të vendit u është dashur të migrojnë në pjesë të tjera të vendit. Vetëm nga muaji janar e deri më tani, numri i njerëzve që migruan brenda vendit arriti në 600 mijë. Vitet e fundit, ky numër ka arritur në 3,5 milionë njerëz”, deklaroi Mücahit.
– “Nga nevojtarët, 75 për qind janë gra dhe fëmijë”
Duke thënë se njerëzit që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre kanë vështirësi të mëdha, Mücahit tha se niveli i varfërisë është rritur në gjithë vendin.
“Sidomos sa i përket ushqimit, shumë njerëz janë në nevojë. Rreth 18 milionë njerëz në Afganistan (me popullsi prej rreth 35 milionë banorësh) kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe nevoja themelore. Nga këta 18 milionë, 14 milionë kanë nevojë për ushqim. Po ashtu, 75 për qind e atyre që kanë nevojë për ndihmë humanitare janë gra dhe fëmijë. Këta njerëz vuajnë nga probleme serioze për shkak të pasigurisë politike dhe problemeve ekonomike në vend. Dimri është para nesh dhe ky bilanc pritet të bëhet shumë më keq. Fotografia nuk është aspak e mirë. Afganistani është një vend për të cilin Kombet e Bashkuara (OKB) dhe shumë organizata ndërkombëtare kanë lëshuar alarm të kuq”, shtoi ai.
– Thatësira në vend ka rritur problemin e furnizimit me ushqim
Duke deklaruar se si IHH në Afganistan kanë prezantuar një plan veprimi emergjent që përfshin ndihmë ushqimore, Mücahit tha:
“Me ndikimin e thatësirës, nevoja për ushqim për njerëzit e Afganistanit është bërë serioze. Afganët nuk kishin sezon produktiv të korrjes dhe dimri është përpara tyre. Kjo do të thotë se bilanci është shumë më i vështirë”.
Ai gjithashtu theksoi se fluksi i parave në vend është zvogëluar për shkak të pezullimit ose ngrirjes së fondeve afgane jashtë vendit, duke shtuar se për shkak të kësaj, çmimet janë shumë të larta dhe njerëzit kanë vështirësi me furnizimin me ushqim.
– Situata në spitale nuk është e mirë
Mücahit deklaroi se sektori shëndetësor është prekur gjithashtu nga rrethanat negative.
“Spitalet nuk kanë pajisje të thjeshta mjekësore. Sektori shëndetësor në Afganistan nuk ka qenë në nivel të mirë as në vitet e mëparshme. Shumë spitale menaxhohen në varësi të ndihmës ndërkombëtare”, tha Mücahit.
– Aktivitetet e IHH-së në Afganistan
Sipas Mücahit, numri i jetimëve në gjithë Afganistanin është midis 500 mijë dhe 1 milion.
“Si IHH, për rreth dy vjet e gjysmë ne kemi zbatuar projekte në fusha të tilla si shëndetësia, ndihmat për zhvillim dhe mbështetja për jetimët. Në këtë kontekst, ne kemi jetimore dhe shkolla. Si pjesë e një projekti sponsorizimi për jetimët në Afganistan, ne mbështesim afërsisht 2 mijë jetimë. Aktualisht, numri i jetimëve në Afganistan është shumë i lartë. Thuhet se ky numër është rreth 500 mijë dhe se mund të arrijë në 1 milion. Ne po përpiqemi të zgjerojmë fushën e aktiviteteve tona për jetimët”, u shpreh përgjegjësi i IHH-së për Afganistanin.
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare