Rregulla të reja për dëbimin e emigrantëve nga Gjermania

22:37 | 6 Janar 2019
Trina Galanxhi

Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer synon dëbime më të shpejta të atyre azilkërkuesve që kryejnë vepra penale. Por rregulloret se kur një azilkërkues duhet të dëbohet janë mjaft të detajuara.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer (CSU), azilkërkuesit duhet të dëbohen menjëherë, në rast se ata shkelin ligjin në Gjermani. Së shpejti, Seehofer do t’i paraqesë qeverisë gjermane propozime të reja për ndryshime të caktuara ligjore. Kërkesat e tij vijnë pas një sulmi të javës së kaluar në qytetin bavarez Amberg. Më 29 dhjetor, katër azilkërkues të alkoolizuar nga Siria, Afganistani, Irani të moshës 17-19 vjeç sulmuan kalimtarë në rrugë duke i qëlluar. 12 vetë u lënduan.

Aktualisht në Gjermani nuk ka të dhëna, se sa vetë dëbohen pas kryerjes së një vepre penale, në tërësi vitin e kaluar ka rënë numri i dëbimeve. Në gjysmën e parë të vitit 2018 u dëbuan 12.300 vetë, krahasuar me vitin 2017, një rënie me 2%. Edhe ligji gjerman si rregull i ndalon dëbimet, nëse personi që do të dëbohet, kërcënohet nga tortura apo vdekja në vendin e origjinës, ose nëse jeta e tij vihet në rrezik për shkak të fesë, racës, nacionalitetit, bindjes politike apo përkatësisë në një grup social.

Kush dëbohet nga Gjermania?

Të huajt që duan të jetojnë në Gjermani kanë nevojë për një leje qëndrimi, refugjatët dhe azilkërkuesit marrin vetëm një leje të përkohshme qëndrimi, për sa kohë, që trajtohet kërkesa e tyre. Në rast se kërkesa e azilit refuzohet, ata nuk kanë më të drejtë qëndrimi dhe duhet ta braktisin Gjermaninë brenda një afati të caktuar, (jo më larg se 6 muaj). Nëse ky afat skadon, atëherë ata dëbohen me detyrim nga Gjermania në vendin e origjinës.

Çfarë ndodh me të huajt që kryejnë krime?

Një person, i cili gjatë kohës së trajtimit të kërkesës së azilit dënohet me burgim të paktën deri në tre vjet, duhet teorikisht të dëbohet. Për personat e tjerë, që dënohen për vepra penale të vogla, ose nëse ata shihen si kërcënim për rendin publik, vendosin autoritetet vendore për dëbimin e tyre. Vendimi i tyre bazohet në dy faktorë: Sa e rëndë ka qenë vepra penale e kryer dhe sa e lartë është nevoja për mbrojtjen e të dënuarit që duhet dëbuar? Një person, që ka kryer vetëm shkelje ligjore, dhe që në vendlindje kërcënohet nga tortura apo vdekja nuk dëbohet. Tek një i huaj me familje gjermane me një vend pune të caktuar, shansi për dëbim është po ashtu i vogël, nëse ai nuk ka kryer një krim të rëndë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme