Rouhani: Turqia me të drejtë është e shqetësuar për kufijtë e saj

18:43 | 9 Tetor 2019
Arbresh.info

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, gjatë një takimi të kabinetit tha se Turqia ka të drejtë të shqetësohet për kufirin e saj me Sirinë, transmeton Anadolu Agnecy (AA).

Sipas mediave lokale iraniane, Rouhani bëri thirrje për “heqjen e shqetësimeve të sigurisë së Turqisë”, duke shtuar se “një rrugë e duhur” duhet të ndërmerret për të larguar këto shqetësime.

Megjithatë, ai theksoi se as Turqia e as Siria nuk duhet të përfitojnë nga ky operacion.

Komentet e Rouhanit u bënë disa orë para fillimit të operacionit ushtarak të Turqisë në Sirinë veriore.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sapo ka njoftuar për fillimin e operacionit “Burimi i Paqes” kundër terroristëve të PKK/YPG dhe DEASH-it në Sirinë veriore.

Të hënën, SHBA filloi me tërheqjen e trupave të saja nga bazat ushtarake në shumë qytete në Sirinë veriore.

Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në Sirinë veriore për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste për të siguruar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Turqia ka thënë se grupi terrorist PKK dhe dega e saj YPG/PYD përbëjnë kërcënimin më të madh për të ardhmen e Sirisë, duke rrezikuar integritetin territorial dhe strukturën unitare të vendit. Turqia gjithashtu ka theksuar se mbështetja e terroristëve nën pretekstin e luftimit të DEASH-it është e papranueshme.

Turqia ka kufi të gjatë 911 kilometra me Sirinë dhe që moti ka denoncuar kërcënimin nga terroristët në lindje të Eufratit dhe formimin e “korridorit terrorist” atje.

Turqia planifikon zhvendosjen e 2 milionë sirianëve në një zonë të sigurt 30 kilometra të gjerë që do të krijohet në Siri nga lumi Eufrat deri në kufirin me Irakun, duke përfshirë edhe qytetin Munbixh. Megjithatë, prezenca e grupeve terroriste, si PKK, PYD dhe YPG, rrezikojnë formimin e saj.

Turqia ka çliruar një hapësirë prej 4.000 kilometrash katrorë në Siri nga grupet terroriste në dy operacione të ndara ndërkufitare. Që nga viti 2016, Turqia ka kryer dy operacione të mëdha ushtarake në Sirinë veriperëndimore, operacionin “Mburoja e Eufratit” dhe atë “Dega e Ullirit”, për të pastruar rajonin nga grupet terroriste DEASH dhe UPG, që është dega siriane e grupit terrorist PKK.

Dy operacionet ishin në përputhje me të drejtën e Turqisë për vetëmbrojtje që mbështetet në ligjin ndërkombëtar, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, veçanërisht rezolutat numër 1624 (2005), 2170 (2014) dhe 2178 (2014), si dhe sipas të drejtës për vetëmbrojtje në bazë të Nenit 51 të Kartës së OKB-së, përderisa respektonin integritetin territorial të Sirisë.

Gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit” forcat turke neutralizuan 3.060 terroristë të DEASH-it. Turqia ka pësuar shumë nga sulmet e DEASH-it brenda vendit. Në vitet e fundit, mbi 300 persona janë vrarë në sulmet e pretenduara nga DEASH-i në Turqi, ku grupi terrorist ka shënjestruar civilë me bomba vetëvrasëse dhe sulme të armatosura.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje.

Që nga viti 2016, operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” në veriperëndim të Sirisë kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke u mundësuar rreth 400.000 sirianëve që shpëtuan nga dhuna të kthehen në shtëpi në Sirinë perëndimore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme