Ronald Reagan i kishte quajtur “majmunë” afrikanët në OKB

13:35 | 31 Korrik 2019
A. B.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Reagan, i kishte quajtur “majmunë” delegatët afrikanë në Kombet e Bashkuara. Ky skandal u zbulua përmes publikimit të incizimeve nga një revistë amerikane.

Reagan e kishte bërë këtë koment gjatë një bisede telefonike në vitin 1971 me presidentin e atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Richard Nixon.

Reagan, i cili në kohën e bisedës telefonike ishte guvernator i Kalifornisë, ishte zemëruar që delegatët afrikanë kishin dalë kundër Shteteve të Bashkuara në një proces votimi.

Anëtarët e delegacionit të Tanzanisë kishin filluar të vallëzonin pasi Kombet e Bashkuara e miratuan njohjen e Kinës dhe përjashtimin e Tajvanit.

Ish-presidenti Reagan, i cili ishte përkrahës i Tajvanit, e kishte telefonuar presidentin amerikan të asaj kohe për t’ia shprehur zemërimin e madh.

Në bisedë, ai dëgjohet duke thënë: “T’i shohësh ata…majmunë nga ato shtete afrikane, mallkuar qofshin, ata ende nuk ndihen rehat me këpucë”.

Pasi i dëgjon këto fjalë, presidenti i atëhershëm, Nixon, dëgjohet duke qeshur.

Incizimi është publikuar nga Tim Naftali, profesor i historisë në Universitetin e Nju Jorkut, i cili kishte qenë drejtor i Bibliotekës Presidenciale të Nixon-it nga viti 2007 deri në vitin 2011, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme