Google ADS

Rizgjidhet presidente e KE-së, Von der Leyen: Zgjerimi i BE-së prioritet kyç

16:45 | 18 Korrik 2024
E.K

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka marrë besimin e Parlamentit Evropian që të udhëheq me trupin ekzekutiv për një mandat të ri. Për rizgjedhjen e saj votuan 401 eurodeputetë.

Gjatë fjalimit të saj para konfirmimit për mandatin e ri, Von der Leyen ka nënvizuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian do jetë mes prioriteteve kyçe në mandatin e saj të ardhshëm.

“Jam e bindur se historia po na thërret edhe një herë. Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë bërë zgjedhjen e tyre të lirë. Ata kanë zgjedhur lirinë mbi shtypjen. Ata kanë zgjedhur demokracinë në vend të varësisë. Dhe disa prej tyre po paguajnë një çmim të lartë për këtë zgjedhje. Pra, ne duhet të bëjmë zgjedhjen tonë dhe të tregojmë përkushtim të palëkundur. E ardhmja e tyre do të jetë e lirë dhe e begatë, brenda Unionit tonë”, tha ajo para eurodeputetëve.

Ursula von der Leyen do jetë e vetmja fytyrë e vjetër në mandatin e ri të strukturave evropiane e cila do pësoj ndryshime si rezultat i zgjedhjeve që u organizuan në territorin e Bashkimit Evropian mes 6 e 9 qershorit.

Ajo ishte gruaja e parë që ka udhëhequr me institucionin kyç të Bashkimit Evropian.

Gjatë mandatit të parë, Von der Leyen ka koordinuar politikat evropiane në sfidat më serioze me të cilat u përball kontinenti, përfshirë Pandeminë Covid19, luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike.

Konsiderohet si një ndër gratë më me influencë në botë.

Me rizgjedhjen e Von der Leyen nisin procedurat për strukturën e re të Komisionit Evropian. Procesi i përzgjedhjes së komisonerëve të ri do filloj gjatë muajit shtator.

Emrat për komisionarëve të ardhshëm propozohen nga secili shtet anëtar sipas parimit një shtet – një emër. Të njëjtit gjithashtu duhet të marrin konfirmimin e Parlamentit Evropian./rtk

Të ngjashme