Turqia synon të shtojë ndikimin ekonomik dhe diplomatik në Azinë Qendrore, qëllim që bie ndesh me synimin e Rusisë për të shtuar praninë e saj në këtë rajon. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones, analistët thonë se ky rivalitet mund të krijojë një dimension të rrallë bashkëpunimi ndërmjet Ankaras dhe Uashingtonit.Presidenti turk Recep Tajip Erdogan takoi në nëntor udhëheqësit e shteteve të Azisë Qendrore në një takim të Organizatës së Shteteve Turke në Astana të Kazakhstanit.
Presidenti Erdogan shpreson të shfrytëzojë lidhjet etnike të Turqisë me rajonin e pasur me burime energjie për të thelluar ndikimin e vet ekonomik dhe diplomatik në një pjesë të botës që deri më tani ishte e dominuar nga Kina dhe Rusia.
“Një përparësi kryesore e Turqisë është fuqia e diplomacisë kulturore, ndërsa Rusia dhe Kina mund të kenë përparësi tjera: Rusia ka më shumë peshë në fushën e sigurisë dhe aspekteve të tjera të forcës. Ndërsa Kina është një lojtar shumë i rëndësishëm ekonomik. Por asnjëra nuk ka lidhje kulturore e gjuhësore si Turqia në këtë rajon.”
Përpjekjet e zotit Erdogan për të shtrirë ndikimin në Azinë Qendrore janë pjesë e strategjisë për të zvogëluar varësinë e Turqisë në Evropë duke marrë parasysh marrëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Evropian.
Por Rusia, e prekur nga sanksionet evropiane për shkak të sulmit ndaj Ukrainës, gjithashtu po mundohet të thellojë ndikimin e saj në Azinë Qendrore.
“Në tërësi Rusia po përballet me ndryshime dramatike në aspektin logjistik; shumica e rrugëve të orientuara drejt Perëndimit thjesht janë mbyllur. Nuk janë më të hapura.”
Shtetet e Bashkuara po ashtu po përqëndrohen në Azinë Qendrore ndërkohë që synojnë të pengojnë përpjekjen e Moskës për t’iu shmangur izolimit dhe përpien të mbajnë nën kontroll ndikimin kinez.
Analistët thonë se këto synime ofrojnë një emërues të përbashkët ndërmjet Ankaras dhe Uashingtonit.
“Presidenti Biden takoi udhëheqësit e Azisë Qendrore në New York gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësitë për të nxitur Azinë Qendrore të mbajë nën kontroll rritjen e ndikimit të Kinës dhe t’i kundërpërgjigjet Rusisë, dhe Turqia, si aleate e mirë e NATO-s, mund të ndihmojë në këtë aspekt.”
Rusia e konsideron Azinë Qendrore si pjesë të sferës së vet të ndikimit dhe vëzhguesit thonë se Moska nuk i mirëpret aspiratat e Turqisë. Por ata thonë se tani për tani, Presidentit Putin i duhet t’i mbajë marrëdhënie të mira me Presidentin turk Erdogan për shkak të rolit që luan Turqia në ndihmën Rusisë për t’iu shmangur sanksioneve.
“Ndodh që Rusia vendos të rikthejë rolin e vet udhëheqës dhe do të fillojë sërish t’i bëjë konkurrencë Turqisë… Nuk do ta përjashtoja një episode të ri konfrontimi ndërmjet Rusisë dhe Turqisë, por jo përgjatë këtyre dy viteve të ardhshme ndërsa Rusia po përshtatet me një realitet ekonomik krejtësisht të ri.”
Ndërkohë që Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara po shtojnë përpjekjet për të rritur ndikimin në Azinë Qendrore, analistët parashikojnë që rajoni mund të bëhet një qendër e re e rivalitetit ndërkombëtar, me Ankaranë në rol kryesor./voa
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...