Turqia ka shprehur shqetësimin për aleancën e re mes Greqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke paralajmëruar se kërcënon të ndryshojë balancën e fuqive në rajon. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, Turqia dhe Greqia janë përfshirë në një mosmarrëveshje të ashpër për ujërat territoriale.
Avionët turq interceptuan një avion luftarak grek mbi ujërat e kontestuara të Detit Mesdhe, ku besohet të ketë rezerva të mëdha energjetike.
Forcat ajrore të të dyja vendeve përdorin të njëjtët lloje avionësh, duke projektuar kështu imazhin e balancës së fuqisë. Por, rishtazi Greqia nënshkroi një marrëveshje mbrojtjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar alarm në Ankara.
“Kur të bashkohen në Detin Mesdhe, në Detin Egje, ky do të jetë një ndryshim i balancës së pushtetit. Në cilin sektor? Në atë të fuqisë ajrore. Përse? Bashkimi i forcave të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Greqisë për të blerë së bashku avionët F-35 është kundër interesave të Turqisë”, thotë Mesut Casin, i Universitetit Yeditepe, njëkohësisht edhe këshilltar i presidentit turk.
Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të blejnë nga Shtetet e Bashkuara rreth 100 nga këta avionë që janë ndër më të avancuarit, ndërkohë që edhe Greqia kërkon të blejë të njëjtin lloj avioni. Por, Ankarasë i është ndaluar blerja e këtij avioni, për shkak se bleu një sistem raketash ruse, për të cilat Uashingtoni thotë se kompromentojnë teknologjinë e avionëve F-35 për të penguar diktimin e tyre nga radarët.
Athina po e shton presionin mbi Ankaranë, me anijet greke që iu bashkuan forcave egjiptiane dhe emirate në manovra detare pranë Turqisë. Analistët e shohin këtë si një shenjë e izolimit në rritje të Ankarasë në rajon.
“Ka një bllok vendesh me antipati në rritje për Turqinë. Dhe Turqia nuk mund të vazhdojë më kështu. Izraeli, Egjipti, sauditët, Emiratet e Bashkuara Arabe… janë shumë. Nuk është ajo që dëshironte Turqia të arrinte. Turqia synonte të bëhej një udhëheqëse rajonale. Tashmë Katari është i vetmi vend që mbështet Turqinë”, thotë Huseyin Bagci, i cili jep mësim për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme.
Në samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, Athina do të lobojë për sanksione ndaj Ankarasë, për shkeljen e ujërave territoriale nga Turqia.
Si një tregues i stadit të marrëdhënies mes Turqisë dhe BE-së, zyrat e Bashkimit Evropian në Stamboll janë shndërruar tani në restorant.
“Synojnë t’ia fillojnë me sanksione graduale, por nuk do të jetë në interesin e Bashkimit Evropian, apo të Turqisë. Dialogu është thelbësor dhe futja e sanksioneve nuk do të ndryshojë politikën kombëtare të Turqisë për Mesdheun lindor”, thotë Mithat Rende, ambasador turk në pension.
Përpara samitit të BE-së, Ankaraja tërhoqi anijet e saj kërkimore për burime energjetike që po vepronin në ujërat e kontestuara të Mesdheut dhe po bën thirrje për dialog.
Me kufizimet e reja për COVID-in dhe masat izoluese, Turqia është më e ekspozuar se kurrë ndaj sanksioneve të Bashkimit Evropian./VOA
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...