Rikthehet Ebola, shpallet epidemia në RD Kongo

22:29 | 12 Maj 2017
Arbresh.info

“Ebola” rikthehet në Afrikë, pasi u konfirmua vdekja e 3 personave nga virusi vdekjeprurës në Republikën Demokratike të Kongos.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli shpërthimin e epidemisë, pas informacioneve që mori nga autoritetet lokale.

Tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar sesi virusi “Ebola, i cili në Kongo vrau 49 persona në vitin 2014, u rikthye kaq papritur.

Në një konferencë për shtyp, ministri kongolez i Shëndetësisë, Oly Ilunga Kalenga paralajmëroi se shpërthimi i epidemisë ishte një emergjencë kombëtare shëndetësore me rëndësi ndërkombëtare, por nxiti njerëzit që të mos bien pre e panikut.

Kjo është hera e tetë që në Republikën Demokratike të Kongos shpërthen virusi i “Ebolas”. Ndërkohë, OBSH njoftoi se ekipe shëndetësore me pajisjet e duhura janë dërguar në zonat e izoluara të vendit, ku janë regjistruar rastet e para të “Ebolas” për të frenuar përhapjen e epidemisë.

Atyre u janë bashkuar ekspertë të organizatës “Mjekët pa kufij”, Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, UNICEF-it dhe OBSH-së. Kjo e fundit tha se, rëndësi të madhe në këtë planveprimi ka bashkëpunimi me komunitetet lokale dhe ndërgjegjësimi i tyre për virusin./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme