Ambasada e Arabisë Saudite në Teheran e ka rifilluar punën të mërkurën, pas rregullimit të marrëdhënieve mes dy vendeve plot shtatë vjet pasi ishte mbyllur, raportojnë mediat iraniane.
Irani, i mbizotëruar nga shiitët, dhe Arabia Saudite, e mbizotëruar nga sunitët, u pajtuan për t’i ndrequr lidhjet diplomatike dhe për t’i rihapur ambasadat e veta përkatëse, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina në mars.
Rivalët e moçëm rajonalë i prishën marrëdhëniet në vitin 2016, pasi misionet diplomatike saudite në Iran u sulmuan gjatë protestave kundër ekzekutimit të klerikut shiit, Nimr al-Nimr, nga Riadi.
“Ambasada e Arabisë Saudite në Republikën Islamike të Iranit i ka filluar zyrtarisht aktivitetet e vet dhe është duke punuar që nga e diela”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, IRNA, e cila e citoi një “burim të informuar” në Ministrinë e Jashtme të Iranit.
Riadi nuk ka konfirmuar zyrtarisht për rihapjen e Ambasadës së vet në Iran.
Në qershor, Irani shënoi hapjen e Ambasadës së vet në Riad me një ceremoni të ngritjes së flamurit.
Mediat iranian ia kishin lënë fajin kushteve të këqija të ndërtesës për vonesat në rihapjen e Ambasadës saudite, e cila ishte dëmtuar gjatë protestave të vitit 2016.
Sipas agjencisë së lajmeve, diplomatët sauditë do të punojnë nga një hotel luksoz në kryeqytetin iranian deri në përfundimin e punimeve në ndërtesën e Ambasadës.
Që nga marrëveshja e marsit, Arabia Saudite i ka rregulluar marrëdhëniet edhe me aleatin e Iranit, Sirinë, dhe ka bërë trysni për paqe në Jemen, ku tash e shumë vite e udhëheq një koalicion ushtarak kundër forcave të mbështetura nga Irani, Huthi.
Irani dhe Arabia Saudite i kanë mbështetur anët e kundërta në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme për shumë vite./rel/
Driloni me pëlqim për Xhenetën?
Mevlani: Me Dianën nuk kishte asgjë serioze – po të isha beq...
Kurti: Shëndetësia publike po transformohet shpejt dhe rrënj...
Sulmet izraelite në Gaza, mbi 70 të vrarë gjatë orëve të fun...
“Vendimi pas dy javësh, nuk presim rezultat tjetër veç fitor...
Banka Botërore nis në Shqipëri programin për urat e qëndrues...