Google ADS

Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Angli sinjalizojnë rezultat të dobët për konservatorët

20:08 | 6 Maj 2022
Lorik Gerbeshi

Partia kryesore Konservatore e Britanisë ka humbur terren në zgjedhjet lokale ndaj laburistëve dhe partive të tjera, bazuar në rezultatet paraprake nga e gjithë Anglia, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërsa një numër i kufizuar i 146 këshillave shpallën rezultatet para agimit, konservatorët humbën dhjetëra vende në këshilla duke mbajtur 293 nga gjithsej 4.350 vende në Angli.

Partia Laburiste ka fituar 553 vende dhe Liberal Demokratët 119 deri më tani, sipas rezultateve paraprake jozyrtare, ndërsa Konservatorët humbën 62 nga vendet që kishin më parë.

Konservatorët kanë fituar 15 këshilla deri më tani, Laburistët 19 dhe Liberal Demokratët dy. Rezultatet e plota priten pasdite.

Votuesit e Irlandës së Veriut kanë votuar për të plotësuar parlamentin e tyre lokal prej 90 vendesh.

Në Skoci dhe Uells, numërimi do të fillojë sot ndërsa rezultatet paraprake priten pasdite, me rezultate të tjera në mbrëmje.

Numërimi në Irlandën e Veriut gjithashtu do të fillojë sot në orën 9 të mëngjesit dhe rezultatet e para priten rreth drekës.

Votimi i përgjithshëm në të gjithë Britaninë e Madhe do të tregojë nëse Partia kryesore Konservatore ka humbur mbështetjen publike për shkak të festimeve të paligjshëm gjatë mbylljes dhe disa problemeve të tjera të përgjithshme, përfshirë krizën e kostos së jetesës.

Rezultati i dobët për konservatorët mund të nxisë një garë lidershipi për të zëvendësuar Boris Johnsonin si udhëheqës partie dhe kryeministër.

Rezultatet në Skoci pritet të tregojnë mbështetje për një referendum të dytë të pavarësisë, të cilin lideri i partisë më të madhe, Partia Kombëtare Skoceze (SNP), ka premtuar ta mbajë deri në fund të vitit 2023.

Në Irlandën e Veriut, partia nacionaliste Sinn Fein parashikohet të dalë si partia më e madhe për herë të parë, duke lënë pas Partinë Unioniste Demokratike (DUP), një rezultat që mund të rezultojë me muaj pasigurie për sistemin e brishtë politik në vend.

Vota për Sinn Fein do të jetë gjithashtu tregues për marrjen e hapave drejt një Irlande të bashkuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme