Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, do të marrë detyrën në janar të vitit 2025 dhe në mandatin e tij të ri ai pritet të ketë mbështetjen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Përveç Shtëpisë së Bardhë votuesit i dhanë republikanëve edhe kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.
Udhëheqësi i ri i Senatit, që nga janari i vitit të ardhshëm do të kontrollohet nga republikanët, do të jetë senatori John Thune.
“Ne kemi një mandat nga populli amerikan, jo vetëm për të pastruar rrëmujën e lënë nga axhenda Biden-Harris-Schumer, por edhe për të përmbushur përparësitë e Presidentit Trump.”
Senatori Thune mori rolin e lartë drejtues në Senat pas tërheqjes së senatorit Mitch McConnell, i cili shërbeu në këtë post për 18 vjet. Udhëheqësi i ri i Senatit tashmë po përballet me sprovën e tij të parë. Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka propozuar anashkalimin e rolit kushtetues të Senatit për miratimin e anëtarëve të kabinetit.
“Kushtetuta i jep Senatit kompetencat e miratimit të traktateve, gjykatësve dhe anëtarëve të kabinetit, kështu që ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të miratuar me shpejtësi emërimet e tij, në mënyrë që ata të fillojnë të zbatojnë axhendën e tij.”
Demokratët humbën shumicën në Senat. Ata do të kenë 47 vende në Senatin e ri.
“Populli amerikan na ka dhënë një sfidë të re. Ne duhet të mësojmë nga kjo”, tha senatori Chuck Schumer, aktualisht udhëheqës i shumicës demokrate në Senat.
Edhe gjatë mandatit të parë të Trump-it, në dy vitet e para, republikanët kontrollonin të dy dhomat e Kongresit. Por një analist thotë se kjo nuk do të thotë se Shtëpia e Bardhë gjithmonë do të marrë atë që dëshiron nga Kongresi.
“Mitch McConnell kishte thënë atëherë se mbështeste axhendën e presidentit, por më pas pamë që republikanët nuk mbështetën nismat nëse mendonin se presidenti kishte shkuar shumë larg”, thotë analisti Casey Burgat nga Universiteti George Washington.
Pas zgjedhjeve të tanishme republikanët vazhduan ta mbajnë edhe kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, duke marrë vlerësime të larta nga zoti Trump.
Presidenti i zgjedhur mbështeti kryetarin e kësaj Dhome, Mike Johnson për një mandat tjetër në këtë post.
“Unë besoj se do të jetë Kongresi më i rëndësishëm në epokën moderne, administrimi më i rëndësishëm i epokës moderne, sepse, të them të drejtën, ne duhet të rregullojmë pothuajse çdo fushë të politikave publike”, tha ai.
Por republikanët kanë një epërsi të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve dhe demokratët janë zotuar të zhvillojnë një betejë të fortë politike.
“Grupi i ligjvënësve Progresistë në Kongres do të vazhdojë të jetë mbrojtës i fortë i klasës punëtore dhe njerëzve të varfër”, tha ligjvënësja demokrate Pramila Jayapal.
Kongresi i ri, i 119-të, i Shteteve të Bashkuara do ta bëjë betimin më 3 janar.
/voa/
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...