Në Shtetet e Bashkuara, republikanë me peshë thonë se mbyllja nga koronavirusi nuk mund të vazhdojë më. Simpatizantët kaluan me makina duke u rënë borive para legjislaturës së një shteti për të protestuar ndaj urdhrave për të ndenjur në shtëpi. Stafi i disa anëtarëve të Kongresit po punon pa bujë për të hartuar projekt-ligje, për të shfuqizuar paketën e shpëtimit dhe për t’i nxjerrë amerikanët në punë.
Pas përpjekjes së Presidentit Donald Trump për të përshpejtuar rihapjen e ekonomisë, është një kontigjent aleatësh republikanë, që e mbështesin fuqimisht atë.
“Pa dyshim ka ardhur koha për ta diskutuar këtë temë dhe për të gjetur zgjidhje”, tha senatori republikan, Pat Toomey që i ka ndarë qëndrimet e tij me zotin Trump.
Nxitja për të gjallëruar ekonominë po ndikohet dhe amplifikohet nga një aleancë e fuqishme e interesave të bizneseve të fuqishme, konservatorësh të lirisë fetare dhe aktivistësh që janë kundër ndërhyrjes së qeverisë, disa prej të cilëve me kontakte direkte me zotin Trump.
Mobizilimi i tyre, është një kujtesë e lëvizjes Tea Party para një dekade, kur konservatorët u ngritën kundër ndërhyrjes së qeverisë për rimëkëmbjen pas recesionit.
Po tërheq një grup të ngjashëm njerëzish me bindje të forta kundër defiçitit, të alarmuar nga paketa e shpëtimit prej 2.2 trilionë dollarësh, besimtarësh që thonë se e drejta e tyre për të ushtruar fenë po dhunohet dhe ligjvënësish konservatorë që paralajmërojnë për një rrëshqitje në një “socializëm” me qeveri të fuqishme me programe sociale masive.
“Si mund t’i vësh nën kontroll disa nga masat e detyruara tiranike”, tha në një intervistë në radio, kongresmeni republikan Andy Biggs, kryetar i Grupit të ligjvënësve për Lirinë.
Ekonomisti Stephen Moore po drejton një koalicion të ri për të mobilizuar aktivistët në gjithë vendin. Fondacioni konservator Heritage paraqiti një plan me 5 pika për rihapje. Republikanët diskutojnë alternativat pothuajse çdo javë në konferencat telefonike private të republikanëve.
“Ka të bëjë me promovimin e lirive. Ka të bëjë me nevojën për të ndaluar shpenzimet që do ta falimentojnë vendin dhe ta rivëmë në lëvizje këtë makineri 20 trilionë dollarëshe që është ekonomia amerikane, sa më shpejt, që nesër”, thotë zoti Moore.
Në fillim të krizës, instinktet e zotit Trump për rihapjen e ekonomisë, u mbajtën nën kontroll nga ekspertët e shëndetësisë në grupin e punës së koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë dhe zyrtarët e fushatës për rizgjedhjen e zotit Trump, që paralajmëruan se një numër i madh viktimash do t’i dëmtonte më shumë shanset e presidentit për rizgjedhje sesa pasojat ekonomike, sipas një republikani që foli me kushtin që të mos identifikohej në mënyrë që të diskutonte vlerësimin që ishte bërë privatisht.
Por ndërsa udhëzimet për të ndenjur në shtëpi duket se e kanë kufizuar përhapjen e virusit dhe numri i viktimave më i ulët nga ç’ishte parashikuar, vlerësimet politike duket se po anojnë nga pasojat ekonomike.
“Duhet të mësohemi me këtë mënyrë jetese”, thotë Adam Brandon, president i FreedomWorks, që po mban takime virtuale çdo javë më anëtarë të kongresit, duke ndezur një bazë me mijëra përkrahës në gjithë vendin.
Avokatët e rihapjes thonë se po përqendrohen në pjesë të ekonomisë dhe zona ku virusi nuk është shumë i përhapur dhe ku mund të bëhen disa punë duke ruajtur distancimin fizik, si ndërtimi dhe fabrikat, dhe duke përdorur masa mbrojtëse.
Këta republikanë paralajmërojnë se theksi tek shëndeti publik nuk ka marrë në konsideratë, pasojat e tjera tek shoqëria dhe mundësinë për një Depresion të Madh. Ata thonë se qeveria nuk mund të vazhdojë të derdhë para për të mbështetur ekonominë.
Senatori Toomey shqetësohet se sëmundjet e dëshpërimit, përfshirë abuzimet me drogën dhe alkoolin, do të thellohen me papunësinë dhe varfërinë në rritje dhe se ndërprerja e furnizimeve mund të shkaktojë trazira.
Ndërsa një ndër 10 punonjës në Amerikë është i papunë, dhe me korporatat që pritet të kenë fitime shumë të ulëta, republikanë me peshë thonë se është koha të ndryshohet strategji.
Senatori republikan, David Perdue tha në një intervistë në radio se kishte folur me presidentin dhe se ai po mendonte për tranzicionin.
“Sistemi i tregut të lirë, i sipërmarrjes së lirë është i kërcënuar. Mos na thoni se si të jetojmë”, tha ai.
Demokratët paralajmërojnë se të veprohej më shpejt nga ç’parashikojnë udhëzimet e shëndetit publik, mund të ketë pasoja katastrofike, nëse amerikanët ndërpresin distancimin fizik dhe shkaktojnë pika të reja të nxehta të virusit, duke mbingarkuar spitalet.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi nxorri një paralajmërim për amerikanët që të “injorojnë gënjeshtrat” dhe “të dëgjojnë shkencëtarët dhe profesionistë të respektuar”, duke mbojtur veten dhe të dashurit e tyre.
Por në gjithë vendin, protestat për t’i dhënë fund mbylljes, po nxehen.
Në Teksas, anëtarët konservatorë të legjislaturës së shtetit, i thanë në një letër Guvernatorit Greg Abbott se në fund të fundit është “përgjegjësia individuale e teksanëve” që mbrojnë veten.
Të mërkurën, shoferët ndërmorën të ashtuquajturin “operacion bllokimi” para legjislaturës së Miçiganit, pas vendimit të guvernatores demokrate Gretchen Whitmer, për të ashpërsuar urdhrat për të ndenjur në shtëpi, që edhe më parë ishin ndër më të rreptët në vend./VoA/
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj