Pas një periudhe të gjatë vuajtjesh dhe luftës, një moment historik ka shënuar fundin e një epoke të errët për Sirinë. Pushteti i Bashar al-Assad në Siri ka përfunduar pas një periudhe të gjatë dhe shkatërruese të luftës civile që ka zgjatur më shumë se një dekadë.
Pas shumë vjet me trazira, dhunë dhe pas përpjekjeve të vazhdueshme të shkatërrimit të opozitës, regjimi i Assad ka humbur kontrollin mbi shumicën e territorit të vendit, duke shpërbërë si strukturën politike, ashtu edhe ushtarake të shtetit sirian, raporton Arbresh.info.
Rebelët sirianë hynë në Damask mëngjesin e së dielës, duke sinjalizuar rënien e sundimit të Bashar al-Assad dhe duke i dhënë fund dinastisë Assad pas më shumë se 50 vjet pushtet.
I menjëhershëm ishte reagimi i sirianëve të migruar, shumë prej të cilëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për më shumë se një dekadë. Ata kanë filluar të festojnë anembanë botës ku janë jetojnë për rënien e regjimit të Bashar al-Assad.
Ky moment ka sjellë një ndjenjë shprese dhe triumfi për ata që kanë vuajtur për vite të tëra nën diktaturën e tij.
Gjatë këtyre viteve të luftës, Bashar al-Assad ka marrë mbështetje të vazhdueshme nga Rusia dhe Irani, por kjo ka dështuar në përpjekjet për të ruajtur pushtetin e tij.
Rebelët dhe forcat opozitare, të mbështetura nga koalicione ndërkombëtare, kanë arritur të mposhtin forcat qeveritare në një betejë të përgjakshme që ka lënë
pas një vend të shkatërruar dhe të varfër.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad, janë shfaqur pamjet e para që dokumentojnë çlirimin e sirianëve, të cilët ishin dënuar padrejtësisht nga regjimi, përfshirë gra dhe fëmijë, nga burgjet e vendit. Burgu Sednaya, i njohur për trajtimet barbare ndaj të burgosurve, ra në duar të rebelëve të shtunën, pas përmbysjes së regjimit të Assad. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut konfirmoi se “dyert e burgut Sednaya, e njohur ndryshe si ‘thertorja njerëzore’, u hapën për mijëra të burgosur.”
Kur ekipi i shpëtimit hapi një nga qelitë e mbyllura, pamjet që u zbuluan ishin shkatërruese: një i burgosur, i liruar pas shumë viteve, ndodhej në një gjendje të tmerrshme, nuk mund të fliste dhe nuk ishte në gjendje të kujtohej as emri i tij. Ky moment pasqyronte brutalitetin e paimagjinueshëm që ai kishte përjetuar gjatë kohës së tij në këtë burg, duke e bërë të qartë shtrirjen e mizorisë që kishte sunduar nën regjimin e Bashar al-Assad.
Pas rënies së Bashar al-Assad dhe largimit të tij nga Siria, në Damask, udhëheqësi rebel Abu Mohammed al-Jaëlani u është drejtuar turmave në xhaminë Umajad në qendër të qytetit.
Ai tha se regjimi i Asadit “burgosi mijëra qytetarë të tij padrejtësisht dhe pa asnjë krim”, duke shtuar se “sot, ne shpërblehemi me këtë fitore. Kjo fitore është e të gjithë sirianëve”.
Presidenti Bashar al-Assad, gruaja e tij britanike dhe tre fëmijët e tyre të rritur kanë lënë pas pallatet e tyre siriane dhe supozohet se do të fillojnë një jetë të re në Rusi pasi iu dha azil nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden e quajti një ‘mundësi historike’ për popullin sirian, ndërsa presidenti i zgjedhur Donald Trump thotë se Assad mori fund pasi aleati i tij, Putin e braktisi.
Gjithashtu fuqitë botërore janë zotuar se do të punojnë për stabilitet në Siri dhe rajonin përreth./Arbresh.info/Edona Kraniqi/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...