Rënia e Assad/ Hapet burgu famëkeq në Siri, lirohen dhe gra e fëmijë

14:50 | 9 Dhjetor 2024
L G

Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad, janë shfaqur dhe pamjet e para që tregojnë sirianët e dënuar nga regjimi, përfshirë gra dhe fëmijë, duke u liruar nga burgjet e vendit.

Burgu Sednaya, i famshëm për trajtimet e tmerrshme ndaj të burgosurve, ra në duar të rebelëve të shtunën pas përmbysjes së regjimit të Assad. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut konfirmoi se “dyert e burgut Sednaya, e njohur ndryshe ‘thertorja njerëzore’, u hapën për mijëra të burgosur”.

Qindra të burgosur, përfshirë gra dhe fëmijë, u liruan gjatë këtij operacioni, megjithatë disa zona të burgut, përfshirë qelitë nëntokësore, mbetën ende të mbyllura. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan rebelët duke shkatërruar dyert dhe duke informuar të burgosurit se ata ishin të lirë. Mijëra të burgosur kanë dalë nga burgu, duke festuar dhe duke brohoritur.

Omar Saud, një aktivist lokal, theksoi se nëntë kate të tjera, të njohura si “qelitë e kuqe”, ende mbeten të paprekura. Ai shpjegoi se ato nuk mund të hapen pasi kërkojnë një mekanizëm të posaçëm.

Ushtarët dhe oficerët që kanë akses për hapjen e këtyre qelive janë larguar tashmë nga burgu.

Kur ekipi i shpëtimit mundi të hapte një nga këto qeli, pamjet ishin shokues: një i burgosur i liruar, që ishte në një gjendje të tmerrshme, nuk mund të fliste dhe nuk mbante mend as emrin e tij, duke pasqyruar brutalitetin që ai kishte përjetuar për gjatë kohës në burg.

Në një raport të vitit 2017, Amnesty International tha se abuzimet dhe torturat që ishin kryer në Sednayana përbënin krime kundër njerëzimit.

LEXO EDHE

Kremlini: Putin ia miratoi Assadit azilin pas rënies së Damaskut

Rrëzoi Bashar al-Assadin, kush është lideri rebel sirian Abu Mohammed al-Jawlani

Të ngjashme