Rëndohet gjendja me COVID-19 në Pejë: 130 pacientë të shtrirë, 27 në gjendje të rëndë

23:50 | 16 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Spitali i Pejës që nga muajt e verës ka filluar të trajtojë pacientët e infektuar me COVID-19.

Në një intervistë në Klan Kosova, drejtori mjekësor i këtij spitali, Muharrem Haliti, ka dhënë detaje rreth gjendjes së përgjithshme me COVID-19.

“Aktualisht në Spitalin e Pejës janë 130 pacientë të shtrirë, prej tyre 27 janë në gjendje të rëndë, 100 janë me oksigjeno-terapi, tre pacientë i kemi me CPAP terapi ndërsa 10 janë liruar sot si të shëruar”, tha Haliti.

“Në dy javët e fundit frekuentimi i pacientëve ka qenë më i madh, për momentin tërë bllokun internistik e kemi të mbushur me pacientë me COVID-19, të gjitha repartet janë me pacientë me COVID me përjashtim të njësisë koronare. Kemi ende hapësirë por kapacitet janë shumë të mbushura”.

“Ne e kemi të vështirë pasi që kemi pasur vetëm dy infektolog ku njëri ka kaluar në pension por çdoherë ka qenë në gjendje gatishmërie për të ndihmuar. Mirëpo, të gjithë mjekët tjerë janë të aktivizuar duke filluar nga pulmologët, internistët, neurologët dhe mjekë të tjerë – është punë e stërngaruar por po menaxhohet”, deklaroi Haliti.

Haliti mes tjerash tregoi edhe moshat e pacientëve që po trajtohen e janë trajtuar në spitalin e Pejës.

“Shumica e tyre janë mosha të shtyra më të vjetra, ka të moshës mesatare ndërsa kemi raste edhe të moshave të reja. Kemi pasur rast edhe të moshës 17 vjeçare që ka qenë i shtrirë në spitalin e Pejës”.

“Numri është këtë javën e fundit më i vogël dhe forma klinike është me lehtë por varësisht prej problemeve kronike po kanë më shumë vështirësi”.

Haliti mes tjerash tregoi se në spitalin e Pejës asnjëherë nuk kanë mbetur pa oksigjen veçse kanë pasur vështirësi.

“Kemi pasur vështirësi herë pas here por asnjëherë nuk kemi mbetur pa oksigjen, si menaxhment kemi bërë një zgjedhje alternative ku kemi blerë oksigjeno-koncentratort të cilët aplikohen tek shumica e pacientëve që janë klinikisht më lehtë”.

“Sasia e oksigjenit që shpenzohet është mjaft e madhe kemi harxhime të sasive të mëdha deri në 150 bombola brenda ditës shpenzohen. Por, në asnjë moment nuk kemi pasur ngecje pa oksigjen”.

Tutje Haliti tregoi se rrallë herë ndodhë që të transferojnë ndonjë pacientë për në QKUK.

“Rastet janë shumë të rralla pos ndonjë rasti që është moshë e re dhe në gjendje më të rëndë dhe kjo bëhet çdoherë në konsultim me Klinikën në Prishtinë, asnjëherë nuk nisemi pa u konsultuar dhe pa e ditur gjendjen e pacientit”

Haliti mes tjerash theksoi se asnjë punëtorë teknik në spital nuk ka hyrë në grevë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme