Regjimi i Asadit zhvendosi me forcë afër 130 mijë persona më 2018

17:18 | 17 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Regjimi i Bashar al-Asadit dhe mbështetësit e tij në Siri detyruan rreth 130.000 njerëz të shpërngulen nga zonat që morën nën kontroll si rezultat i bllokadave dhe sulmeve intensive.

Sipas të dhënave që Anadolu Agency (AA) ka përpiluar nga burimet lokale me rastin e 18 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve, viti i tetë i luftës civile në Siri është regjistruar si vit i dëbimeve dhe migrimeve të detyruara.

Zonat e kontrolluara nga opozita në kryeqytetin Damask, Homsi në pjesën qendrore të vendit dhe qytezat Dera dhe Kunejtra në jug të tij, kaluan nën kontrollin e regjimit përmes bllokadave, sulmeve dhe dëbimeve pavarësisht shpalljes si “zona të deeskalimit” në kuadër të marrëveshjeve të Astanas.

Personat që nuk pranuan të binin dakord me regjimin dhe të qëndronin në këto rajone, u vendosën në kampet e refugjatëve në tenda të improvizuara në veri të vendit.

Sipas të dhënave të organizatës civile ombrellë “Koordinatorët Sirian për Intervenim”, regjimi dhe mbështetësit e tij kanë detyruar të migrojnë 128.926 persona, shumica civilë, në periudhën 14 mars-31 korrik.

Dëbimi më i madh goditi Damaskun

Evakuimet e detyrueshme, që karakterizuan këtë vit, fillimisht ndodhën në periudhën 14 mars-10 maj në rajonet Guta Lindore dhe Kalamuni Lindor në Damask, si dhe në Kampin Jermuk, në Kadem, Jelde, Bebille dhe Bejt Sahim në jug.

73.964 njerëz nga Guta Lindore, simboli i rezistencës kundër regjimit, dhe Kalamuni Lindor në kufirin me Libanin, u detyruan të evakuoheshin në zonat e sigurisë nën kontrollin e opozitës në Idlib dhe Halep.

Ndërkaq, 9.250 persona u dërguan në Idlib nga vendbanimet Jelde, Bebbile dhe Bejt Sahim në Kampin Jermuk nën kontrollin e opozitarëve.

Në këtë mënyrë, gjithsej 83.214 persona u detyruan të migrojnë nga rajonet e Damaskut të kontrolluara nga opozita.

Mbi 35 mijë persona u detyruan të migrojnë nga Homsi për 12 ditë

Pas përfundimit të dëbimeve me forcë në Damask, qëllimi i ri i regjimit dhe mbështetësve të tij ishte Homsi, në pjesën qendrore të vendit.

Në zonën rurale veriore të Homsit, 35.648 persona u zhvendosën në rajonet e Idlibit dhe Halepit më 7-18 maj si pjesë e dëbimeve me forcë nga rajonet e bllokuara nga regjimi dhe mbështetësit e tij.

– Më shumë se 10 mijë persona të dëbuar nga rajonet jugore

Dera dhe Kunejtra në jug të vendit kaluan nën kontrollin e regjimit këtë vit pas evakuimeve të detyruara.

Opozita ushtarake dhe civilët që refuzuan të pajtohen me regjimin si rezultat i marrëveshjes së regjimit dhe opozitarëve në Dera dhe Kunejtra, u detyruan të emigronin në veri të vendit përmes evakuimeve që zgjatën dy javë.

10.064 persona u zhvendosën në periudhën 15-31 korrik si rezultat i marrëveshjes për evakuime të detyruara.

Regjimi pengon kthimin e të dëbuarve

Sipas Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, 6,6 milionë njerëz janë zhvendosur gjatë luftës civile në Siri, ndërsa 5,6 kanë marrë statusin e refugjatit.

Regjimi i Asadit, i cili dëshiron ta kthejë këtë situatë në një mundësi, përpiqet të parandalojë kthimin e miliona njerëzve që ka dëbuar duke ua shkëputur lidhjet me atdheun e tyre.

Në drejtim të këtij qëllimi, regjimi konfiskon pasuritë e lëna nga ana e të dëbuarve ose i shkatërron ato.

Megjithatë, regjimi ka ndërmarrë masa për të siguruar fshehjen e veprimeve të paligjshme, pasi miratoi një ligj i cili parasheh shpronësimin e shtëpive, bizneseve dhe tokave të atyre personave që nuk deklarojnë pasuritë e veta brenda një viti.

Human Rights Watch (HRW) tha në një deklaratë më 16 tetor se duke shqyrtuar imazhet satelitore të rajonit Kabun të Damaskut, ka vërejtur se regjimi ka shkatërruar pronat pa paralajmërim, pa kompensim ose pa asnjë zgjidhje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme