Ashtu si vendet e tjera në Evropë, Britania po përjeton mungesë të fuqisë punëtore për shkak të pandemisë COVID-19. Por për mijëra ukrainas që ikin nga lufta në atdheun e tyre, mungesa e vendeve të punës ofron mundësi jetike ndërsa ata vendosen në shtëpitë e tyre të reja. Për Zërin e Amerikës, Tommy Walker raporton nga Newcastle.
Britania ka lëshuar më shumë se 100 mijë viza për qytetarët ukrainas që ikin nga konflikti. Sipas organizatës “Shtëpi për Ukrainën” refugjatët mund të qëndrojnë me një familje britanike për të paktën gjashtë muaj, pastaj të jetojnë dhe punojnë në Britani deri në tre vjet.
Margharyta Alekhnovych nga Ukraina është zhvendosur në Newcastle, të Anglisë.
“Ishte vërtet si një film. Kishte shumë tanke dhe automjete ushtarake që po kalonin pranë meje dhe shumë avionë mbi kokat tona. Ishte vërtet e tmerrshme”, tregon ajo.
Në përpjekje për të lënë pas kujtimet e luftës, Margharyta e cila ishte punonjëse palestre në Kiev, së fundmi gjeti një punë të re në qytetin ku u zhvendos.
Ajo dëshiron të kthehet në Ukrainë një ditë, por lajmet se forcat ruse po vazhdojnë avancimin e tyre do të thotë se kthimi është shumë i rrezikshëm për momentin.
“Shpresa ime është ta shoh vendin tim të sigurt”, thotë Margharyta.
Me shpresën se një ditë do të kthehet në Ukrainë është edhe Tetiana Karpyshyn, një ish punonjëse në Çernobil, e cila u largua nga Ukraina për në Britani me vajzën e saj.
“Do të jem gati të kthehem kur të jem e sigurt se asgjë nuk mund të ndodhë. Për shembull, shtëpia ime të jetë e sigurt dhe vajza ime do të jetë në një vend të sigurt”, thotë ajo.
Për momentin, kërkesa e saj e vetme është të gjejë punë në shtëpinë e saj të re.
“Po kërkoj një punë. Në thelb, unë jam gati të kthehem në Ukrainë edhe nesër, por tani vendi nuk është i sigurt”, thotë ajo.
Mungesa e fuqisë punëtore në Britani ka lënë miliona vende të lira pune në shumë industri, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, bujqësinë dhe ndërtimin. Kompanitë po fajësojnë Brexit për reduktimin e numrit të punëtorëve të Bashkimit Evropian në Britani, si dhe për pasojat e pandemisë.
Një studim i Dhomave Britanike të Tregtisë thotë se 75% e kompanive kanë vështirësi në gjetjen e punonjësve.
Menaxheri i hotelit “Budle Hall” i cili ka mirëpirtur Tetianan beson se ukrainasit që kërkojnë punë po ndihmojnë në kompensimin e mungesës së punëtorëve.
“Sigurisht që ne duam t’i ndihmojmë njerëzit nga Ukraina, por fakti që ka mungesa masive të fuqisë punëtore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, mendoj se është në avantazhin e ukrainasve që po përshtaten”, thotë Ralph Baker-Cressëell.
Fedir dhe Valeria Skrypnyk së fundmi u larguan nga Ukraina me katër fëmijët e tyre dhe tani jetojnë në Leeds. Fedir tani punon në ndërtim dhe thotë se planifikon të punojnë në Britani për aq kohë sa të jetë e mundur.
“Këtu ne planifikojmë, për shembull, të kemi punë të mirë, të paguajmë taksa dhe pas tre vjetësh, ndërkohë që viza jonë funksionon. Po ashtu presim një zgjatje të vizës”, thotë ai.
Për momentin, ukrainasit që janë zhvendosur në Britani po përpiqen të vazhdojnë me jetën e tyre dhe të kenë jetë normale. Pyetja është, kur të përfundojë lufta në Ukrainë, a do të vendosin ata të qëndrojnë në Britani, apo do të duan të kthehen në shtëpitë e tyre në Ukrainë?/VOA
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...