Rebelët sirianë thonë se kanë marrë Damaskun, s’dihet vendndodhja e Assadit

07:47 | 8 Dhjetor 2024
E.G

Rebelët sirianë pretenduan herët në mëngjesin e 8 dhjetorit se kanë marrë nën kontroll kryeqytetin, Damaskun, pas një ofensive të shpejtë të ditëve të fundit që përparoi shpejt nëpër vend.
Damasku është “tani i lirë nga Assadi,” thanë rebelët në një deklaratë në rrjetet sociale.

Vendndodhja e presidentit Bashar al-Assad nuk dihet, megjithëse Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britani, tha se Assadi ishte larguar me një aeroplan nga Damasku dhe kishte lënë vendin herët në mëngjesin e 8 dhjetorit. Nuk u tha se ku kishte udhëtuar Assadi.

Ky raportim nuk mund të konfirmohej, por kryeministri sirian Mohammad Ghazi al-Jalali tha në një video se qeveria është “e gatshme të bashkëpunojë me çdo udhëheqje të zgjedhur nga populli”.

“Ne besojmë se Siria është për të gjithë sirianët dhe se është vendi i të gjithë bijve të saj, dhe se ky vend mund të jetë një shtet normal që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët dhe botën pa u përfshirë në ndonjë aleancë apo bllok rajonal”, tha al-Jalali, duke shtuar se ai ishte ende në shtëpi në Damask dhe nuk kishte ikur.

Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë vonë më 7 dhjetor se Uashingtoni po monitoronte nga afër situatën në terren në Siri.

Një zëdhënës tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët e saj bënë thirrje që civilët, përfshirë anëtarët e grupeve minoritare, të mbrohen.

Zëdhënësi tha se ishte koha për të negociuar një fund të konfliktit sirian në përputhje me parimet e përcaktuara në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai shtoi se refuzimi i regjimit të Assadit për të marrë pjesë në këtë proces ka çuar drejtpërdrejt në situatën aktuale.

Ndërkohë, presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të kenë asnjë lidhje” me luftën në Siri, ku një kontingjent i vogël i forcave amerikane vazhdon të jetë i dislokuar në disa zona./rel

Të ngjashme