Rebelët jemenas, Huthi, që mbështeten nga Irani, pretenduan se kanë rrëzuar një dron amerikan që po fluturonte mbi Jemen. Ushtria amerikane pranoi raportimet për këtë çështje, por nuk komentoi.
Nëse konfirmohet, atëherë do të ishte droni i dytë i llojit MQ-9 Reaper i rrëzuar nga rebelët Huthi në javën e fundit, teksa rebelët jemenas po vazhdojnë fushatën e tyre të sulmeve për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës.
Të premten e kaluar, rebelët jemenas pretenduan se kanë rrëzuar një dron amerikan mbi provincën Marib, disa orë pasi në mediat sociale qarkulluan pamje që dukej se shfaqnin një dron MQ-9 Reaper të shkatërruar.
Zëdhënësi i rebelëve Huthi, Yahya Saree, tha më 21 maj se droni u rrëzua nga një raketë tokë-ajër. Ai nuk tregoi se kur ndodhi rrëzimi i dronit, por pretendoi se droni “po kryente misione armiqësore” mbi provincën Bajda në jug të Jemenit.
Që kur ka nisur lufta civile në Jemen më 2014, kur rebelët Huthi morën nën kontroll shumicën e pjesës veriore të shtetit dhe kryeqytetin Sana, Ushtria amerikane ka humbur të paktën pesë dronë nga sulmet e rebelëve.
Një dron Reaper kushton rreth 30 milionë dollarë. Ky lloj i dronëve mund të fluturojë në një lartësi prej mbi 15.000 metrash dhe mund të qëndrojnë në ajër për 24 orë.
Rebelët Huthi muajve të fundit kanë intensifikuar sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke kërkuar që Izraeli t’i japë fund luftës në Gazë.
Që nga nëntori i vitit të kaluar e deri më tani, rebelët Huthi kanë kryer më shumë se 50 sulme ndaj anijeve, kanë kapur një prej tyre dhe një tjetër e kanë fundosur, sipas të dhënave të administratës amerikane.
Rebelët Huthi javën e kaluar thanë se sulmuan me raketa një luftanije amerikane në Detin e Kuq. Megjithatë, ushtria amerikane tha se luftanija pengoi raketën balistike të lëshuar nga rebelët./REL/
Nis prezantimi i Studimit të Rinisë 2024,nga Fondacioni Frie...
Edi Rama ndan foto nga Unaza Verilindore e Tiranës
Murtezaj për dixhitalizimin e arkave fiskale: Progresi i rad...
Ngritet aktakuzë ndaj Edmond Lajqit për vrasjen e Gjyljeta U...
Lufta në Ukrainë/ Shtatë të vrarë nga sulmet ruse në Sumi, m...
Zaragoza me replikë për Tuchelin: Futbolli luhet me këmbë jo...