Rebelët jemenas Huthi kanë gjuajtur një raketë lundruese drejt një luftanijeje amerikane në Detin e Kuq, por avionët luftarakë të Shteteve të Bashkuara kanë arritur të shkatërrojnë raketën, thanë zyrtarët.
Sulmi i 14 janarit është i pari që SHBA-ja ka pranuar që është kryer nga rebelët Huthi që kur Uashingtoni dhe aleatët e tij, të premten, më 12 janar, kryen sulme ndaj tyre për shkak të sulmeve në Detin e Kuq.
Huthit po kryejnë sulme në një korridor të rëndësishëm përmes së cilës kalojnë dërgesa të rëndësishme në Kanalin e Suezit për në Evropë. Rebelët jemenas kanë thënë se sulmet po kryen për shkak të luftës së Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – duke rritur kërcënimin se konflikti në Gazë mund të shndërrohet në një konflikt rajonal.
Huthit, një grup rebel shiit që janë mbështetjen e Iranit, kanë marrë nën kontroll kryeqytetin jemenas më 2014. Ky grup nuk e pranoi menjëherë përgjegjësinë e sulmit.
Është e paqartë nëse SHBA-ja do të kundërpërgjigjet ndaj sulmit të fundit, edhe pse presidenti Joe Biden, ka thënë se ai, “nëse është e nevojshme, nuk do të hezitoj të urdhëroj masa të tjera për të mbrojtur popullin tonë dhe për të çliruar kalimin e tregtisë ndërkombëtare”.
Raketa e lëshuara nga Huthit të dielën u nis drejt luftanijes USS Laboon, që operon në jug të Detit të Kuq, tha përmes një deklarate Qendra Komanduese e Ushtrisë amerikane.
Raketa u gjuajt nga Hodeida, një qytet-port në Detin e Kuq që është nën kontrollin e rebelëve jemenas, tha SHBA-ja.
“Raketa lundruese u lëshua drejt USS Laboon nga zonat në Jemen që mbahen nga militantët Huthi, të cilët mbështeten nga Irani”, tha Qendra Komanduese. “Nuk raportohet për lëndime të personelit apo dëme materiale”.
Të premten, në ditën e parë të sulmeve ajrore të udhëhequra nga SHBA-ja u sulmuan 28 lokacione dhe mbi 60 caqe nga raketat dhe bombat e lëshuara nga avionët luftarakë, luftanijet dhe nëndetëset. Sulmet goditën depo të armëve, radarë dhe qendra komanduese, sipas SHBA-së.
Rebelët ende nuk kanë pranuar dëmin e shkaktuar nga sulmet, por kanë thënë se pesë nga trupat e tyre janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.
Forcat amerikane kryen, po ashtu, sulme ajrore të shtunën ndaj radarëve të rebelëve Huthi.
Javën e kaluar, Marina amerikane paralajmëroi anijet që të shmangin zonat rreth Jemenit në Detin e Kuq dhe Gjirit të Adenit, pas sulmeve fillestare të udhëhequra nga SHBA-ja.
Sulmet e rebelëve në Detin e Kuq kanë nisur në nëntor, dhe sipas Huthive ato synojnë të ndalin ofensivën e Izraelit në Gazë. Por, rebelët jemenas shpesh kanë sulmuar anije që nuk kanë lidhje me Izraelin, duke penguar transportin detar në një rrugë kyçe të tregtisë globale./rel/
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj
Mbappe dhe Valverde të “pamëshirshëm”, realizojnë dy supergo...
Tottneham dhe Liverpool mbyllin xhiron e 17-të, këto janë 11...
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...