Realizohet fluturimi më i gjatë në botë nga New Yorku në Sydney

13:35 | 20 Tetor 2019
Arbresh.info

Një avion i kompanisë australiane Qantas ka arritur të vendosë një rekord të ri për udhëtimin më të gjatë në histori. Një avion i tij i nisur nga New York mbërriti në Sydney pas 19 orësh!

Ky ishte një lloj eksperimenti për të testuar efektet e atij që do të jetë fluturimi më i gjatë komercial, duke llogaritur lodhjen që përjetojnë si pasagjerët, ashtu edhe ekuipazhi.

Qantas e përshëndeti si “historik” momentin kur avioni, një Boeing i ri 787-9 Dreamliner u ul pa probleme në tokë ndërsa nuk kishte kryer asnjë ndalesë rrugës. 49 persona ishin në bord, me qëllimin që të arrihej një peshë minimale dhe të garantohej autonomia e nevojshme e mjetit.

Testet përfshinin monitorimin e valëve cerebrale të pilotit dhe nivelin e melatoninës tek pasagjerët. ” Jemi vërtet të lumtur me mënyrën se si shkoi fluturimi dhe është mirë të kesh disa të dhëna që na duhen për të ndihmuar në vlerësimin e fillimit të një shërbimi të rregullt për këtë rrugë”, tha Kapiteni Sean Golding, i cili drejtoi katër pilotët.

Kompania po planifikon të kryejë më vonë gjatë vitit një fluturim të ngjashëm prove, këtë herë nga Londra drejt Sidnejt.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme