Një disident iranian që tani jeton në Shtetet e Bashkuara ka kritikuar reagimin e ashpër të Iranit ndaj hapjes së ambasadës amerikane në Jeruzalem dhe vrasjen nga Izraeli të protestuesve palestinezë përgjatë kufirit të Gazës me Izraelin.
Duke folur në emisionin NewsHour të shëbrimit në gjuhën farsi të Zërit të Amerikës, studenti i doktoraturës në Universitetin Indianës në Pensilvani, Reza Parchizadeh akuzoi Teheranin për përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e tij të brendshme duke trumbetuar kritika ndaj qeverive amerikane dhe izraelite. “Republika Islamike e Iranit është e specializuar në shmangien e problemeve të saj përmes zhvendosjes së vëmendjes tej aktorët e jashtëm,” tha ai.
Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif akuzoi Izraelin për “masakrim të panumërt të palestinezëve me gjakftohtësi” gjatë dhunës së ditës së hënë në zonën kufitare mes Gazës dhe Izraelit. Izraeli tha se forcat e tij vepruan në mënyrë të përshtatshme në reagimin ndaj sulmeve në gardhin kufitar. Ministri i jashtëm Iranian Zarif gjithashtu e quajti inagurimin e ambasadës amerikane të hënën në Jeruzalem “të paligjshëm” dhe akuzoi vende të paidentifikuara arabe për “bashkëpunim” me Uashingtonin.
Garda Revolucionare e Iranit gjithashtu lëshoi një deklaratë përmes agjencisë së lajmeve Tasnim, në të cilën bënte thirrje për një “valë të re të lëvizjeve anti-amerikane” dhe një “valë të re zemërimi” në rajon dhe më gjerë, kundër atyre që mbështesin atë që e quajti “një lëvizje të turpshme” të ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Udhëheqësit islamikë të Iranit janë ndeshur me një nga sfidat më të mëdha të sundimit të tyre gjatë viteve nga protesta anti-qeveritare që kanë përfshirë vendin që nga dhjetori. Shumica e protestave kanë tërhequr dhjetëra deri qindra njerëz.
Parchizadeh, një teoricien politik, tha se sulmet verbale të Teheranit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit gjithashtu janë të rrënjosura në ideologjinë e klerikëve në pushtet, të cilët i referohen Amerikës si “Satani i Madh” dhe bëjnë thirrje për zhdukjen e Izraelit. Ai tha se mënyra e vetme për botën për të frenuar Iranin nga përdorimi i një gjuhe të tillë është ndryshimi i udhëheqjes islamike në Teheran.
Një tjetër disident iranian i cili foli në emisionin NewsHour të shërbimit të Zërit të Ameriks në gjuhën farsi, Alireza Nourizadeh nga Londra, akuzoi Iranin se po përpiqet të përfitojë nga konflikti izraelito-palestinez, duke thënë se Teherani do të përdorte “çdo mjet” për të parandaluar arritjen e paqes. Por, ai gjithashtu kritikoi hapjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, duke thënë se ajo ka krijuar një situatë të rëndë në rajon.
“Aleatët më të afërt arabë të Amerikës si Arabia Saudite kanë mbështetur një proces paqeje me Izraelin, por ata kanë kritikuar lëvizjen e ambasadës (si një veprim të padobishme për këtë proces),” tha Nourizadeh. Ai tha se ato vende arabe tani janë në një pozitë të vështirë dhe nuk dinë se si të justifikojnë politikën e aleatit të tyre, Shteteve të Bashkuara ndaj Izraelit.
“Kjo është arsyeja pse unë sinqerisht besoj se administrata e Presidentit Trump duhet të dalë me një iniciativë të vërtetë të paqes për rajonin,” tha Nourizadeh.
Gazetari iraniano-izraelit dhe kritiku i Teheranit Menashe Amir tha në emisionin NewsHour se kishte dëgjuar nga një informator se qeveria iraniane po dërgonte para në Gaza për të mbështetur protestat anti-izraelite atje.
Amir, i cili punon në afërsi të Jeruzalemit, tha se vrasja e palestinezëve në trazirat e së hënës përgjatë kufirit të Gazës me Izraelin, janë të dhimbshme. “Ata janë qenie njerëzore që duhet të kenë të drejta”, tha ai. Por, gezetari Menashe Amir theksoi se fajtor për dhunën është grupi militant i Hamasit që qeveris Gazën dhe sponsorizuesi i tij, Irani.
“Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbrojë veten”, tha Amir. “Asnjë vend në botë nuk do të lejonte njerëzit që kërkojnë vdekjen e tij të hyjnë në tokën e tyre dhe të ndërmarrin veprime agresioni”.
Hamasi ka fajësuar Izraelin për dhunën e së hënës, pjesë e një serie protestash të organizuara në muajt e fundit pranë gardhit në kufirin mes Izraelit dhe Gazës për të promovuar qëllimin e tij për “kthimin” e popullit të tij (palestinezëve) në territorin izraelit.
Por, në një konferencë shtypi të hënën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah, u pajtua me Izraelin, duke thënë se Hamasi është përgjegjës për “të gjithë situatën”./VoA/
Haradinaj në Gjakovë: Me Kosovën fituese drejt NATO-s dhe zh...
Konjufca priti në takim komisionerin kroat për mbrojtjen e t...
KRU “Gjakova” me apel për pagesa të faturave
Serbët pro pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...