Përleshjet midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë të Hamasit janë duke vazhduar të dielën në disa pjesë të Izraelit jugor, raportojnë mediat.
Mëngjesin e së shtunës, nga Rripi i Gazës, Hamasi nisi një valë sulmesh me raketa kundër Izraelit – gjë që nxiti përgjigjen e menjëhershme të ushtrisë izraelite me sulme ajrore.
Sipas zyrtarëve, në Izrael u vranë 300 civilë dhe dhjetëra të tjerë u morën pengje.
Zyrtarët palestinezë thanë se sulmet ajrore izraelite vranë së paku 313 njerëz në Rripin e Gazës dhe plagosën mbi 2.000 të tjerë.
Përleshjet u përshkruan si përshkallëzimi më i rëndë i konfliktit izraelito-palestinez në disa vite.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Paqen në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, tha se “kjo është një greminë e rrezikshme” dhe u bëri thirrje të gjithëve që të tërhiqen.
“Ky sulm ka një ndikim të tmerrshëm mbi civilët izraelitë… Civilët nuk duhet të jenë kurrë objektiv i sulmit”, tha komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Tuerk.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shprehu mbështetje të palëkundur për Izraelin, ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se, gjatë ditëve në vijim, Departamenti i Mbrojtjes do të punojë “për të siguruar që Izraeli ka atë që i nevojitet për ta mbrojtur veten dhe për t’i mbrojtur civilët nga dhuna dhe terrorizmi”.
“Po i ndjek nga afër zhvillimet në Izrael. Angazhimi ynë për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur mbetet i palëkundur”, tha Austin.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se vendi i tij shpreh, po ashtu, mbështetje për Izraelin.
“Jemi thellësisht të tronditur nga sulmi me raketa nga Gaza dhe dhuna në rritje. Gjermania i dënon këto sulme nga Hamasi dhe qëndron në krah të Izraelit”, tha Scholz.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ka diskutuar situatën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, dhe udhëheqës të tjerë rajonalë.
“Presidenti shprehu shqetësimet e tij për situatën dhe ia kujtoi secilit rëndësinë e dënimit të sulmeve terroriste kundër Izraelit, ushtarëve dhe popullit të tij”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Presidentit të Francës.
Sipas disa raportimeve në media, Abbas i kërkoi Macronit të ndërhyjë për të ndaluar “agresionin izraelit”.
Shefja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sulmi i Hamasit kundër Izraelit “është terrorizëm në formën e tij më të neveritshme”.
“Kjo dhunë e tmerrshme duhet të ndalet menjëherë. Terrorizmi dhe dhuna nuk zgjidhin asgjë”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se vendi i tij u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen.
Ministria e Jashtme turke tha se “Turqia është gjithmonë e gatshme të ofrojë çfarëdolloj ndihme për të siguruar që zhvillimet në fjalë, të mos përshkallëzohen më tej”.
Thirrje për përmbajtje bënë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministria e Jashtme e këtij vendi tha se duhet “armëpushim i menjëhershëm për t’i shmangur pasojat serioze”.
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Mikhail Bogdanov, tha se vendi i tij “është në kontakt me Izraelin, palestinezët dhe vendet arabe” dhe se bën thirrje për përmbajtje.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e dënoi atë që ai e cilësoi si “sulm terrorist” ndaj Izraelit dhe tha se e drejta e Izraelit për ta mbrojtur veten “nuk mund të vihet në dyshim”.
Hamasi u bëri thirrje palestinezëve dhe arabëve të tjerë që t’i bashkohen aksionit të tij kundër Izraelit.
Mbetet e paqartë nëse palestinezët në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor apo gjetkë në rajon, do ta dëgjojnë thirrjen e tij.
Ushtria izraelite, ndërkohë, urdhëroi një përforcim masiv të trupave./REL
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua
Trajneri i Empolit i frikësohet një largimi të mundshëm të I...
Lëshohet në qarkullim pulla postare që lufton dhunën kundër ...