Google ADS

Reagime të forta pas “ringjalljes” së Babtshenkos!

16:23 | 31 Maj 2018
A. B.

Vrasja e supozuar e gazetarit kritik ndaj Kremlinit, Arkadi Babtshenko ishte një aksion special i shërbimit sekret ukrainas, SBU. Babtshenko i kërkoi falje gruas në Kiev.

Për gazetarin rus, kritik ndaj Kremlinit u mbajt zi në të gjithë botën. Por Babtshenko jeton. Vrasja ishte thjesht një shou e përmasave të mëdha. Sipas shërbimit sekret ukrainas, SBU, vrasja e inskenuar ishte një mision special për të zbuluar aktivitete të shërbimit sekret rus në Ukrainë- Babtshenko u paraqit i gjallë të mërkurën në mbrëmje para kamerave dhe i kërkoi falje gruas.

Reagime ruse
Rusia e kritikoi këtë si një aksion propagande.  Zëvendëspresidenti i komisionit të Politikës së Jashtme në Këshillin Federal Rus, Vladimir Dshabarov tha se “Kievi ka ndërmarrë provokimin më idiot kundrejt Rusisë duke u turpëruar kështu para të gjithë botës.” Ndërsa gazeta ruse “Vedomosti” shkruan se “inskenimi i zgjeruar mediatik e ngre në një nivel të ri përdorimin e lajmeve të rreme -fake news- edhe pse me qëllim të mirë. Kjo është hera e parë që në një inskenim të tillë ishin përfshirë edhe përfaqësues të shtetit të një rangu të tillë.”

Kolegë të Babtshenkos kanë reaguar të zemëruar. Ilja Aza, reporter i gazetës së pavarur “Novaja gazeta”, ku punonte më parë edhe Babtsheko ështe shprehur “Babtshenko jeton. Kjo është mrekulli.” Por ai gjen fjalë të qarta për mënyrën e veprimit të kolegut të mëparshëm. “Ajo që ai ka bërë bashkë me SBU është thjesht shumë e fortë. Mes kolegëve gazetarë tani po kalon një propozim që Arkadit t’i jepet kolektivisht një grusht turinjve.”

Policia ukrainase bëri të ditur të martën, se Babtshenko ishte qëlluar disa herë pas shpine. Autoritetet në Kiev bënë përgjegjëse Rusinë për këtë akt. Rusia i hodhi poshtë të gjitha akuzat./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme