Politikanët boshnjakë dhe shoqatat e familjarëve të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë kanë mirëpritur miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Por, presidenti i entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, e cilësoi të “dështuar” këtë rezolutë”.
Rezoluta, që u miratua me 84 vota për, 19 kundër dhe 68 abstenime, shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Ndër të tjera, rezoluta bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
Kryeministri i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Nermin Nikshiq, tha se rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë është një akt njerëzor dhe civilizues.
“Sot, keqbërësve, kriminelëve dhe asaj pjese të njerëzimit që ende nuk e di dallimin mes së mirës dhe së keqes, iu dha një mësim i rëndësishëm”, tha ai.
Sipas Nikishq, miratimi i rezolutës dërgoi një mesazh të fuqishëm njerëzor dhe politik ndaj individëve që ikin nga përgjegjësia.
Ndërkaq, anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Zhellko Komshiq, tha se me miratimin e kësaj rezolute “u arrit një konsensus politik” për gjenocidin e kryer në Srebrenicë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ai tha se procesi që kishte nisur me aktakuzën për gjenocid, që vazhdoi me shpalljen e aktgjykimeve të formës së prerë para gjykatave ndërkombëtare dhe në fund u mbyll me miratimin e rezolutës në OKB.
Por, presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, e cilësoi si të “dështuar” rezolutën, pasi tha se nuk arriti të marrë votat e shumicës të vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Afër 110 shtete nuk votuan, ose ishin kundër, ose abstenuan. Kjo është rezolutë e dështuar dhe do të thotë që OKB-ja nuk e ka mbështetur”, shkroi Dodik në X.
Qendra Memoriale në Srebrenicë mirëpriti miratimin e rezolutës.
“Për ne, të mbijetuarit, kjo është edhe një dëshmi që nuk jemi vetëm në misionin tonë për të ruajtur të vërtetën lidhur me gjenocidin në Srebrenicë”, tha për AFP-në Almasa Salihoviq, zëdhënës i Qendrës.
Ndërkaq, shoqata e Nënave të Srebrenicën e quajti “fitore e të vërtetës dhe drejtësisë”, miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 maj.
Kjo shoqatë po ashtu falënderoi të gjitha shtetet që e mbështetën këtë rezolutë, e cila u iniciua nga Gjermania dhe Ruanda, dhe u mbështet nga shumë shtete të tjera.
Ndërkaq, Ambasada amerikane në Sarajevë, tha se mohimet e vazhdueshme të gjenocidit në Srebrenicë i bëjnë “të rëndësishme dhe urgjente” kujtimin ndërkombëtar të ngjarjeve të vitit 1995.
“Rezoluta nuk shënjestron asnjë shtet anëtar dhe nuk vendos përgjegjësi kolektive ndaj asnjë grupi të njerëzve. Rezoluta e bën të qartë se ne të gjithë e kemi për obligim që të pranojmë faktet, të mësojmë të vërtetën, të nderojmë viktimat, të mbështesim përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur dhe identifikuar viktimat dhe për të ndjekur penalisht keqbërësit. Këta hapa janë thelbësorë për pajtimin”, tha kjo ambasadë përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se votimi në OKB i jep shans gjeneratave të ardhshme të nxjerrin mësime nga ngjarjet që ndodhën në Srebrenicë.
“Njohja është hap kyç drejt pajtimit dhe luftimit të mohimit të gjenocidit. Është esenciale për shërimin dhe për paqen e qëndrueshme, duke u ofruar ngushëllim nënave të Srebrenicës dhe të gjithë të mbijetuarve, duke i siguruar ata që më të dashurit e tyre nuk do të harrohen kurrë”, shkroi Osmani në X.
Gjermania dhe Ruanda ishin sponsorizueset kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj.
Në Srebrenicë, forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.
Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq./REL/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...