Reagime ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin e ish-presidentit Trump

23:09 | 1 Korrik 2024
E.G

Në vendimin historik të së hënës, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara deklaroi për herë të parë se ish-presidentët mund të kenë imunitet nga hetimet, për të paktën një pjesë të veprimtarisë së tyre gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjykata e riktheu gjithashtu çështjen tek gjykata e nivelit më të ulët për të shqyrtuar më tej nëse elementët thelbësorë të padisë në Uashington ndaj ish-Presidentit Donald Trump kanë të bëjnë apo jo me veprimtarinë zyrtare të tij gjatë kohës që ishte në detyrë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka shkaktuar reagime të forta. Në vazhdim një përmbledhje e disa prej këtyre qëndrimeve.

Drejtuesi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve

Hakeem Jeffries, udhëheqës i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se demokratët do t’i përgjigjen vendimit të gjykatës me “një mbikëqyrje agresive dhe aktivitet legjislativ”, nëse fitojnë sërish shumicën në nëntor.

“Hartuesit e Kushtetutës synonin një demokraci të qeverisur nga shteti ligjor dhe me miratimin e popullit amerikan”, tha përmes një deklarate ligjvënësi Jeffries. “Ata nuk donin që vendi ynë të qeverisej nga një mbret, apo monark që do të vepronte me pandëshkueshmëri të plotë”.

Zyrtarët e fushatës elektorale të Presidentit Biden

Ekipi elektoral i Presidentit Joe Biden u shpreh në një deklaratë se vendimi i Gjykatës së Lartë “nuk ndryshon faktet” për ngjarjet e 6 janarit 2021.

“Le të jemi shumë të qartë për ato çfarë ndodhën më 6 janar: Donald Trump-i shpërtheu pasi humbi zgjedhjet e 2020-ës dhe inkurajoi turmën që të përmbysnin rezultatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratën e ekipit elektoral të Presidentit Biden. “Trump-i po kandidon për president tashmë si një i dënuar për vepra penale, për të njëjtën arsye që qëndroi duarkryq ndërsa turma sulmoi dhunshëm Kapitolin: ai mendon se është mbi ligjin dhe është i gatshëm të bëjë çdo gjë për ta marrë pushtetin dhe për ta mbajtur atë për veten e tij”.

Deklarata e akuzon ish-presidentin se “ka dalë gjithnjë e më shumë nga kontrolli” që nga sulmi ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe se Presidenti Biden do të sigurohet që amerikanët do t’i refuzojnë “njëherë e mirë” këtë nëntor përpjekjet e zotit Trump për të rimarrë pushtetin.

Donald Trump gjatë sulmit të 6 janarit 2021, tha se vendimi i së hënës i Gjykatës së Lartë se ish-presidentët gëzojnë një nivel imuniteti nga hetimet, është “shumë zhgënjyes”.

Zoti Gonell ndodhej përpara Gjykatës së Lartë ndërsa u njoftua vendimi. Ai e kritikoi vendimin për ta rikthyer çështjen në gjykatën e nivelit më të ulët, duke e vonuar kështu më tej procesin gjyqësor me akuzat ndaj ish-presidentit për planifikimin e përmbysjes së humbjes në zgjedhjet e vitit 2020.

“Me çfarë po luhet, përveçse me vonimin e të pashmangshmes, që është se Donald Trump-i duhet të përballet me pasojat?”, shtron pyetjen zoti Gonell.

Zoti Gonell, i cili tashmë po bën fushatë për Presidentin Joe Biden, u rrah rëndë gjatë sulmit ndaj Kapitolit. Ai u tërhoq nga shërbimi në polici në vitin 2022 për shkak të lëndimeve.

Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Sonia Sotomayor

Gjykatësja Sonia Sotomayor pati radhën të hënën për të paraqitur argumentet kundërshtuese në opinionin e pakicës së anëtarëve të gjykatës.

Që në fillim, ajo u shpreh qartë se: “Për shkak se Kushtetuta jonë nuk e mbron një ish-president nga përgjegjësitë për veprime penale apo tradhti, unë jam kundër”.

Ajo bëri pauza në disa momente dhe në momente të tjera theksoi secilën fjalë. Gjatë një prej kritikave për shumicën konservatore, gjykatësja Sotomayor citoi disa nga themeluesit e Amerikës dhe tha se “interesante që historia ka rëndësi, apo jo?”.

Ajo i ktheu pastaj sytë drejt audiencës në sallë dhe tha: “vetëm këtu jo”.

Gjatë një tjetër kritike dramatike, gjykatësja Sotomayor tha se: “Ironike, apo jo? Njeriu i ngarkuar për zbatimin e ligjeve, tani mundet thjesht t’i shkelë ato”.

Ajo i kritikoi ashpër vendimet e shumicës së gjykatësve si “krejtësisht të pambrojtshme” dhe se e vinin presidentin në nivelin “e një mbreti mbi ligjin”.

Drejtuesi i shumicës demokrate në Senat

Chuck Schumer, udhëheqës i i shumicës demokrate në Senat e kritikoi vendimin e Gjykatës së Lartë si “një vendim i turpshëm”, i marrë me ndihmën e tre gjykatësve të emëruar nga vetë ish-Presidenti Trump.

“Dëmton besueshmërinë e Gjykatës së Lartë dhe sugjeron se influenca politike mbizotëron mbi gjithçka tjetër në gjykatat tona sot”, tha Senatori Schumer në rrjetin X.

Senatori nga shteti Kënektikat

Senatori demokrat Richard Blumenthal e quajti vendimin e Gjykatës së Lartë “një vendim qartazi politik”, që synon ta mbrojë ish-Presidentin Trump me “një mbrojtje ligjore që nuk e gëzon asnjë qytetar tjetër”.

“Kjo është një licencë për autoritarizëm”, tha senatori demokrat nëpërmjet një deklarate të hënën./voa/

Të ngjashme