Raportohet se Rusia do të mbajë ushtrime me parashutistë afër Ukrainës

09:06 | 23 Dhjetor 2021
L G

Qindra parashutistë rusë do të zhvillojnë ushtrime afër kufirit ukrainas këtë javë, citohet të ketë thënë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, në kohën e tensioneve të larta mes Moskës e Perëndimit rreth anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO.

Agjencia e lajmeve “Interfax” raportoi se 1.200 trupa dhe mbi 250 automjete e mjete fluturuese do të përfshihen në këto ushtrime, që do të jenë të ndara në dy vende: në Krimenë e aneksuar nga Rusia më 2014 dhe në provincën afër saj, Krasnodar.

Ministria e Mbrojtjes citohet të ketë thënë se trupat do ta simulojnë kapjen e një zone si pjesë e një operacioni të ofensivës, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë afër Ukrainës dhe ka kërkuar që fqinja e saj të mos pranohet në NATO dhe të mos dërgohen armë sulmuese atje ose në vendet fqinje.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania e kanë paralajmëruar Rusinë për pasoja të rënda në rast të sulmit ndaj Ukrainës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme