Presidenti rus, Vladimir Putin, do të garojë për mandat tjetër presidencial si kandidat i pavarur me mbështetje të madhe, dhe jo i lidhur me partinë, kanë raportuar të shtunën agjencitë ruse të lajmeve, duke i cituar mbështetësit e tij.
Një grup i përbërë prej mbi 700 politikanëve dhe figurave kryesore të botës së sportit dhe kulturës, është organizuar të shtunën në Moskë dhe në mënyrë unanime e ka përkrahur nominimin e Putinit si kandidat i pavarur, kanë thënë agjencitë e lajmeve.
Putin, i cili ka qenë në pushtet si president apo kryeministër për më shumë se dy dekada, ka bërë të ditur se synon një mandat tjetër presidencial në zgjedhjet që mbahen në mars të vitit të ardhshëm.
Ai pritet të fitojë lehtë në këtë proces zgjedhor.
Putin nuk do të garojë si kandidat i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar, ndonëse ka mbështetje të plotë, por si kandidat i pavarur, ka thënë Andrei Turchak, zyrtar i lartë i partisë, sipas agjencisë së lajmeve RIA.
“Më shumë se 3.5 milionë anëtarë të partisë dhe mbështetës do të marrin pjesë aktivisht në fushatën zgjedhore”, është cituar të ketë thënë Turchak, duke theksuar se Putin ka qenë njëri prej themeluesve të partisë Rusia e Bashkuar.
Për Putinin, 71-vjeçar, zgjedhjet janë formalitet, me mbështetje të mediave shtetërore, dhe pothuajse asnjë zë kundërshtar, si dhe burgosje të figurave opozitare.
Mbështetësit e Putinit besojnë se ai e ka rikthyer rendin, krenarinë kombëtare dhe një pjesë të ndikimit të humbur gjatë shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik.
Disa e justifikojnë edhe luftën e Rusisë në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022, të cilën Putin e përshkruan si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe
KG i FFK-së hap procedurë disiplinore ndaj Llapit dhe trajne...
Kurti: Prapa sulmit terrorist në Ibër Lepenc qëndron Millan ...
SHBA do të rrisë prodhimin e raketave
Barcelona mbetet sërish pa Torresin