Forcat izraelite kanë kryer sulme në Qytetin e Gazës më 8 korrik, teksa tanket kanë avancuar në qendër të qytetit nga drejtime të ndryshme. Banorët thanë se këto janë ndër luftimet më të ashpra që nga 7 tetori, kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Shërbimi i Emergjencave Civile në Gazë tha se beson që dhjetëra persona janë vrarë, por ekipet nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë te viktimat për shkak të ofensivave që po vazhdojnë në Daraxh dhe Tufa në lindje dhe në Tel Al-Hava, Sabra dhe Rimal në perëndim.
Deri më tani, tanket izraelite ishin stacionuar në disa zona në Tel Al-Hava dhe Sabra, por nuk kishin përparuar thellë në tri qarqet tjera, të cilat, sipas banorëve, u bombarduan gjatë natës dhe në mëngjesin e së hënës. Banorët raportuan se disa ndërtesa janë shkatërruar.
Ushtria izraelite tha përmes një deklarata se po intensifikon operacionet kundër infrastrukturës së Hamasit në Rripin e Gazës, duke shtuar se ka ndërmarrë veprime ndaj më shumë se 30 luftëtarëve që paraqisnin kërcënim për trupat izraelite.
Ofensiva e re izraelite vjen teksa Egjipti, Katari dhe SHBA-ja kanë intensifikuar përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në luftën në Gazë, që ka hyrë në muajin e dhjetë.
Lufta nisi pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës ajrore, detare dhe tokësore të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 38.000 palestinezë.
Shpresa është rritur në mesin e palestinezëve në Gazë për një pauzë të luftimeve, pasi Hamasi pranoi një pjesë kyçe të propozimit amerikan për armëpushim, duke nxitur zyrtarët e ekipit negociator izraelit të thonë se ka shanse reale për arritjen e një armëpushimi.
Hamasi hoqi dorë nga kërkesa që Izraeli fillimisht të zotohet për një armëpushim të përhershëm, para se të nënshkruajë një marrëveshje. Por, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se marrëveshja nuk e ndalon shtetin e tij që të rinisë luftimet derisa të plotësojë qëllimet e tij të luftës.
Qëllimet e luftës së Izraelit janë shkatërrimi i aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe kthimi i pengjeve izraelite./REL/
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...