Raisi kërkon lehtësim të sanksioneve amerikane

11:31 | 21 Shtator 2023
E.K

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha se raportet e shtetit të tij me Shtetet e Bashkuara mund të lëvizin përpara nëse administrata e presidentit Joe Biden, do të demonstronte se dëshiron të kthehet në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Sipas tij, hapi i parë në këtë drejtim duhet të jetë lehtësimi i sanksioneve.

Gjatë një konference për media, ai tha se amerikanët kanë kontaktuar përmes disa kanaleve “dhe kanë thënë se ata dëshirojnë dialog, por ne besojmë se dialogu duhet të shoqërohet edhe me veprime”.

“Pra, vetëm bisedimet nuk do të zgjidhin çështjen”, tha Raisi. Por, veprimet për sanksionet “mund të jenë një themel i qëndrueshëm” për të vazhduar diskutimet.

“Ne nuk jemi larguar nga tavolina e negociatave”, shtoi lideri iranian.

Raisi përsëriti se tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja e vitit 2015 – që synonte frenimin e programit bërthamor të Iranit – shkeli zotimet e SHBA-së, përfshirë ato për sanksionet.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja më 2018 dhe riktheu sanksione të ashpra ndaj Republikës Islamike. Një vit më vonë, Irani nisi shkeljen e marrëveshjes duke pasuruar uranium në nivele të larta. Pas kësaj, nisën bisedimet në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes, por ato dështuan në gusht të vitit 2022.

Për një kohë të gjatë Irani ka mohuar se synon të krijojë armë bërthamore dhe insiston se programi i tij ka qëllime krejtësisht paqësore. Raisi ka deklaruar më herët se “armët bërthamore nuk kanë vend në doktrinën mbrojtëse dhe atë ushtarake” të shtetit të tij.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka paralajmëruar më herët se Irani ka pasuruar mjaftueshëm uranium dhe mund të krijojë me to “disa” bomba bërthamore, nëse dëshiron./rel

Të ngjashme