Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, më 30 qershor do të drejtojë takimin e ri të krizave me ministrat e tij pasi për të tretën natë me radhë ka pasur protesta mbarëkombëtare. Protestat në Francë u nxitën pas vrasjes së një adoleshenti nga një polic gjatë një kontrolli trafiku.
Qindra protestues janë arrestuar, teksa në disa qytete ata kanë dëmtuar dyqanet.
Trazirat gjatë natës pasuan një marsh të mbajtur të enjten në kujtim të 17-vjeçarit, Nahel, i cili u vra nga një polic. Vrasja e tij ka nxitur kritika lidhur me taktikat që përdor policia ndaj personave me të ardhura të ulëta në zonat multientike.
Pallati Elize njoftoi se Macron do të ndërpriste udhëtimin e tij në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e krizës lidhur me dhunën. Kjo është hera e dytë që një takim i tillë mbahet brenda ditësh.
Rreth 40.000 policë dhe xhandarë – përfshirë edhe njësitë elite policore – u dislokuan në disa qytete gjatë natës, teksa autoritetet kanë vendosur orë policore në komunat afër Parisit dhe kanë ndaluar tubimet publike në Lil dhe në Torkun.
Pavarësisht përfshirjes së një numri të madh të forcave të sigurisë, është raportuar për dëme në shumë qytete.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, tha se 667 persona janë arrestuar në atë që ai e përshkroi si natë të “një dhune të rrallë”.
Burimet policore të AFP-së thanë se për dallim nga netët e kaluara, protestuesit nuk u përleshën me policinë, por sulmuan dyqane të ndryshme.
Po ashtu, cak i sulmeve ishin edhe ndërtesat publike, sikurse stacioni policor në qytetin Pau, që u sulmua me koktej molotovi, thanë autoritetet. Po ashtu, në Lil një shkolle fillore dhe një zyreje të qarkut iu vu zjarri.
Macron nën presion
Franca është përballur me protesta të vazhdueshme që kur Nahel u vra të martën, gjatë një ndalimi në trafik. E gjithë kjo ngjarje është incizuar.
Në intervistën e parë për mediat, nëna e Naelit, Mounia, i tha France 5 se “unë nuk e fajësoj policinë, e fajësoj personin, e fajësoj atë që ia mori jetën djalit tim”.
Ajo tha se zyrtari policor, 38 vjeç, është përgjegjës për ngjarjen. Polici që ka qëlluar drejt adoleshentit është arrestuar dhe është akuzuar për vrasje të qëllimshme. Sipas nënës së adoleshentit të vrarë, polici pa “një fytyrë arabe, një fëmijë të vogël dhe dëshironte që t’ia merrte jetën”.
Marshi në kujtim të Nahelit që u thirr nga nëna e tij Mounia, përfundoi me policinë që hodhi gaz lotsjellës drejt protestuesve të cilët dogjën disa makina në Nanterre, në periferi të Parisit, ku u vra adoleshenti.
Si pjesë e masave për të rikthyer qetësinë, shërbimet e udhëtimit me autobus dhe tramvaj në Paris u ndërprenë në orën 21:00 të enjten. Megjithatë, pavarësisht masave të ndërmarra nga autoritetet, ato patën pak efekt për të ndaluar trazirat.
Në Marsej, një librari u vandalizua, teksa pati përleshje me policinë e cila përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një grup prej rreth 150 personash, të cilët pretendohet se po tentonin të vendosnin një barrikadë.
Edhe disa ndërtesa në Paris dhe rrethinë u sulmuan, thanë autoritetet.
Në Nanterre, epiqendrën e trazirave, tensionet u rritën rreth mesnatës, pasi protestuesit ndezën fishekzjarrë dhe mjete të tjera shpërthyese në rrugën ku Nahel jetonte.
Qeveria franceze po tenton që të shmangë përsëritjen e trazirave të vitit 2005, që u nxitën pas vrasjes së dy djemve me prejardhje afrikane gjatë një ndjekjeje policore. Atëbotë, 6.000 persona u arrestuan.
Macron ka bërë thirrje për qetësi dhe ka shtuar se dhuna në protesta është “e pajustifikueshme”.
Këto trazira paraqesin sfidë të re për presidentin, i cili gjatë mandatit të tij është përballur me disa prej protestave më të mëdha për vite të tëra të organizuara në Francë, të cilat u nxitën për shkak të rritjes së moshës së daljes në pension.
“Plumb në kokë”
Nahel u vra teksa tentoi të largohej nga policia, e cila tentoi ta ndalonte për një kontroll në trafik.
Një video e publikuar, që është verifikuar nga AFP-ja, shfaq dy zyrtarë policorë duke qëndruar pranë makinës së tyre të stacionuar, teksa njëri prej zyrtarëve ai drejton armën shoferit të makinës.
Një zë në video dëgjohet duke thënë: “Do të marrësh plumb në kokë”.
Polici më pas duket duke shkrepur armën, teksa makina largohet.
Përleshjet mes protestuesve dhe policisë nisën kur u shfaq kjo video, e cila kundërshtonte versionin e policisë që tha se adoleshenti ishte nisur me makinën e tij drejt policëve.
Avokati i policit, Laurent-Franck Lienard, tha se klienti i tij ka kërkuar falje kur është dërguar në paraburgim.
“Fjalët e para që ka thënë është se ka kërkuar falje, teksa fjalët e fundit që mi tha ishin që i kërkonte falje familjes”, tha Lienard.
Më herët gjatë të enjtes, prokurori publik në Nanterre, Pascal Prache, tha: “Prokuroria konsideron se kushtet ligjore për përdorimin e armës” nga zyrtari policor që ka shtënë “nuk janë plotësuar”. /Rel
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...