Qindra fluturime pritet të anulohen për shkak të grevave në Gjermani

19:00 | 19 Prill 2023
E.H

Rreth 700 fluturime do të anulohen, duke prekur pothuajse 100.000 pasagjerë, për shkak të grevave të planifikuara për të enjten dhe të premten nga sindikata e punëtorëve, Verdi në Gjermani, tha Shoqata e aeroporteve.

Grevat do të zhvillohen në tri aeroporte gjermane.

“Pothuajse 100.000 pasagjerët do të vuajnë si rezultat i taktikave të grevave të Verdit”, tha drejtori i kësaj shoqate, Ralph Beisel.

Të premten pritet të ketë greva edhe të punëtorëve të hekurudhave në Gjermani, që pritet të shkaktojnë telashe të mëdha për personat që përdorin këtë mjet transporti.

Shoqata e aeroporteve akuzoi sindikatat e punëtorëve se po keqpërdorin të drejtën e grevave.

Sipas kësaj shoqate, në tre muajt e parë të këtij viti, mbi 900.000 pasagjerë janë detyruar që të ndryshojnë fluturimet apo janë përballur me anulim fluturimesh për shkak të grevave.

Sindikata Verdi është duke zhvilluar negociata me Shoqatën e Aviacionit dhe të Kompanive të Sigurimit lidhur me bonuset e punëtorëve dhe po ashtu po kërkon që të arrihet një kontratë e re kolektive, që do të përfshinte pagesën për punën jashtë orarit për stafin e sektorit të sigurisë dhe të shërbimeve në aeroportet komerciale.

Deri më tani, sindikalistët kanë refuzuar ofertat e Shoqatës së Aviacionit, teksa negociatat pritet të vazhdojnë më 27 dhe 28 prill.

Sa i përket grevës së punëtorëve të hekurudhave, operatori kombëtar i hekurudhave ka paralajmëruar qytetarët se do të ketë “kufizime të mëdha” në transport./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme