Qeveria e Jemenit ka kërkuar nga presidenti Abdruabbu Hadi Mansur që t’i parashtrojë kërkesë zyrtare Arabisë Saudite për t’i dhënë fund pjesëmarrjes së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në koalicionin që mbështet qeverinë legjitime në Jemen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kërkesa e qeverisë jemenase erdhi përmes një shkrese zyrtare pas sulmeve të djeshme të avionëve të EBA-së ndaj forcave qeveritare në Aden dhe Ebyen të Jemenit.
Në letrën zyrtare dërguar presidentit të Jemenit poashtu kërkohet pezullimi i marrëdhënieve diplomatike me EBA-në dhe tërheqja e Ambasadës së Jemenit në Abu Dhabi.
Qeveria më herët kërkoi organizimin e një seance në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak të bombardimit të hapur të EBA-së ndaj forcave qeveritare në jug.
Ministria e Mbrojtjes e Jemenit ka njoftuar se mbi 300 persona kanë mbetur të vdekur ose të plagosur nga sulmet e avionëve të EBA-së ndaj forcave qeveritare në kryeqytetin e përkohshëm Aden dhe në Ebyen, pa specifikuar numrin e saktë të të vdekurve dhe të plagosurve.
Njësitë Hizam Emni të lidhura me Këshillin Kalimtar Jugor separatist të mbështetur nga EBA-të, më 10 gusht morën kontrollin mbi qytetin e Adenit duke pushtuar Pallatin Presidencial Maashik dhe institucionet strategjike shtetërore, ndërsa më 20 gusht siguruan kontroll mbi selinë ushtarake në Ebyen në jug të vendit.
Forcat qeveritare pas përleshjeve që filluan javën e kaluar kthyen kontrollin në Ebyen dhe Aden. Megjithatë, pas sulmeve të djeshme të avionëve të EBA-së, Adeni dhe qyteti qendror i Ebyenit, Zenxhibar, sërish kaluan nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Emiratet.
Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.
Konflikti u përshkallëzua edhe më tej kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj suni-arabë, përfshirë edhe EBA-në, filluan një fushatë masive ajrore që synonte pengimin e avancimit të rebelëve Huthi. Dhuna e vazhdueshme ka shkatërruar infrastrukturën themelore të Jemenit, duke bërë që OKB të përshkruajë situatën si “një nga katastrofat më të këqija humanitare të kohërave moderne”.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...