Qeveria amerikane i dhuroi të martën policisë kufitare shqiptare pajisje moderne dhe 215 kompjutera me vlerë rreth 210 mijë dollarë, për të mbështetur luftën kundër trafikimit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar.
Ndihma është në kuadër të Programit për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare (EXBS) dhe synon të adresojë nevojat e policisë kufitare përgjatë kufirit shqiptar.
Që nga viti 2003, programi EXBS ka ofruar njohuri, trajnime dhe dhurime pajisjesh për të ndihmuar Shqipërinë të forcojë kufijtë e saj dhe të çojë përpara stabilitetin rajonal.
Në ceremoninë e dhurimit, të zhvilluar në Pikën e Kakavijës në kufi me Greqinë, i Ngarkuari me Punë i SHBA-së në Shqipëri , David Wisner tha se se “është nder për mua dhe ekipin tim të jem këtu sot, për të mbështetur këta miq të mrekullueshëm me pajisje zbulimi dhe kompjuterike, të cilat nxjerrin në pah, qoftë edhe pjesërisht, se sa shumë jemi të përkushtuar ndaj sigurisë së Shqipërisë. Si aleate e NATO-s, siguria e Shqipërisë, është edhe siguri e SHBA-ve”.
Zoti Wisner tha më tej se “puna e përditshme që bëni ju të gjithë, për të luftuar migracionin e paligjshëm, krimin, drogat dhe sfidat për të ardhmen e Europës, është thellësisht e vlerësuar, sigurisht edhe nga miqtë tuaj në Ambasadën e SHBA në Tiranë, por gjithashtu edhe nga lidershipi ynë në Uashington”.
“Siguria e brendshme, nis nga siguria e jashtme dhe ju jeni në vijën e parë të frontit dhe për këtë jemi shumë mirënjohës.. Ne besojmë se mjetet e pajisjet do të japin një ndikim madhor, do t’ju ndihmojnë për fuqizimin, kapjen dhe ndalimin e atyre personave që nuk po përpiqen të bëjnë gjëra të mira për vendin tuaj, dhe ne ju inkurajojmë fuqishëm për këtë”, tha zoti Wisner.
Ndërsa ministri i brendshëm shqiptar, Taulant Balla tha se Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ka përfituar nga bashkëpunimi me agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA-së dhe Programet e financuara nga Qeveria Amerikane, në këshillimin, shkëmbimin e eksperiencës, trajnimin e efektivave të Policisë Kufitare dhe Migracionit, forcimin e kapaciteteve teknike dhe logjistike.
“Përfitoj nga rasti të falënderoj Qeverinë e SHBA, nëpërmjet ambasadorit në detyrë, z. Ëisner, për mbështetjen e dhënë në një sërë programesh të financuara nga SHBA dhe uroj që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të ardhmen”, u shpreh Ministri i Brendshëm.
Zoti Balla përmendi konkretish pajsijet e dhuruara në kuadër të programit dhe rolin në luftimin e krimit ndërkufitar.
“Një mbështetje e konsiderueshme është dhënë në automjete dhe pajisje si automjete patrullimi me kalueshmëri te lartë, kamera termike, dylbi dite dhe nate, jelek antiplumb, GPS, kamera SMARTDEC, elektrikë dore, etj”, tha ministri Balla.
Sipas zotit Balla “ndikimi i këtyre pajisjeve, në punën e strukturave policore, ka qenë i prekshëm dhe tejet efikas”.
“Konstatojmë se përdorimi i kamerave “SMARDEC” ka rritur forcën zbuluese kundër trafikimit të lëndëve narkotike, kalimin ilegal të kufirit dhe kontrabandimit të mallrave”, tha ai./VOA
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...